Argjentina nuk ndalet, Sllovakia mundet nga Ekuadori
Kanë nisur ndeshjet e dyta në grupe në Kupën e Botës U20...

Kanë nisur ndeshjet e dyta në grupe në Kupën e Botës U20 që po zhvillohet në Argjentinë.
Në Grupin A, Argjentina ka bërë detyrën përballë Guatemalës duke fituar me rezultatin 3-0. Organizatorët e këtij kompeticioni kanë kaluar në avantazh në minutën e 17-të me anë të Veliz. Në pjesën e dytë, Romero 65’ dhe Perrone 90’+3 kanë kompletuar fitoren 3-0.
Kujtojmë që të dyja skuadrat e mbyllën sfidën me 10 lojtarë, u ndëshkuan Santos 58’(Guatemala) dhe Aviles 82(Argjentina) me nga dy kartona të verdhë.
Po në Grupin A, Zelanda e Re nuk ishte në gjendje të mbante epërsinë e dy golave dhe në fund barazoi 2-2 me Uzbekistanin.
Ben Wallace dhe Jay Herdman shënuan në pjesën e parë për Zelandën e Re, përpara se uzbekët, që po dominonin, të shënonin dy herë pas pushimit duke përfshirë edhe golin e barazimit në kohën shtesë.
Në Grupin B, Sllovakia është mposhtur 2-1 nga Ekuadori, pavarësisht se kaloi e para në avantazh me anë të Szolgai në minutën e 29-të. Ekuadorianët barazuan në limitet e pjesës së parë me anë të Cuero dhe shënuan golin e fitores në minutën e 59-të me Klinger.
Në këtë grup, një fitore e pastër, 3-0 e SHBA-së përballë Fixhit. Pas një pjese të parë pa gola, amerikanët zgjidhën gjithcka në pjesën e dytë me Luna 66’, Cowell 88’ dhe Wiley 90’+2.
