Super Shaqiri, Seferi debuton edhe në Liga Europa
Xherdan Shaqiri, bëri lojë jashtëzakonisht të mirë në fanellën e Interit dhe realizoi gol në barazimin me rezultat 3:3 si mysafir kundër Celtic-ut...

Në minutën e 4-të, Shaqiri e heshti Glasgoun. Ai pranoi një top për mrekulli dhe gjuajtjen e parë të tij e priti portieri Gordon, por jo edhe të dytën, duke kaluar në epërsi zikaltrit. Golat tjerë për Interin i shënoi Palacio, ndërsa për ekipin skocez, Armstrong, Campagnaro autogol si dhe Guidetti në kohën shtesë.
Një tjetër shqiptar, Granit Xhaka luajti nga minuta e parë për Moenchengladbach në përballjen si udhëtues me Sevillën, ndeshja e cila u mbyll me 1-0 në të mirë të mbrojtësve të titullit.
Anderlehti i Besnik Hasit, si vendas barazoi 0:0 me ekipin rus, Dinamo nga Moska. Mysafirët nga minuta e 75-të ishin me një lojtar më pak, pasi Buttner pas dy kartonëve të verdhë u përjashtua nga loja, por Anderlechti nuk e shfrytëzoi këtë epërsi numerike.
Strugani Pajtim Kasami me ekipin grek, Olympiakos, zhgënjyen me lojë dhe pësuan humbje me rezultat 2:0 nga Dnipro nga Ukraina. Kasami u paraqit titullar, ndërsa golat në këtë ndeshje erdhën në pjesën e dytë të ndeshjes, nga Kankava dhe Rotan.
Zvicëranët e Young Boys, nuk ishin rival i denjë i Evertonit, në ndeshjen në të cilën për vendasit, regjistroi debutimin e tij reprezentuesi i Maqedonisë, Taulant Seferi. Ata pësuan humbje në Bernë me rezultat 4:1 nga Evertoni. Lukaku shënoi het-trik, ndërsa goli tjetër erdhi nga Coleman, derisa për vendasit shënoi Horau.
Nga takimet tjera, veçojmë fitoren e vështirë të Liverpullit ndaj Beshiktashit me 1-0, fal golit të Mario Ballotelit nga penalltia në minutën e 84-të, ndërsa në derbin e mbrëmjes, Totënhemi dhe Fiorentina luajtën pa fitues 1-1, pas golave të shënuar nga Soldado për vendasit dhe Basanta për mysafirët.
