Raport progresi i vendit, anulohet votimi për raportin për RMV në PE
Komisioni për Punë të Jashtme i Parlamentit Evropian...

Komisioni për Punë të Jashtme i Parlamentit Evropian (AFET) e shtyu votimin e Raportit për progresin e Maqedonisë nga raportuesi i PE për vendin, eurodeputeti bullgar Ilhan Kyçuk.
“Pika numër 5 duhet të ishte votuar për Raportin për Maqedoninë e Veriut. Është shtyrë, kështu që nuk ka nevojë të debatojmë për këtë tani” – tha Kryetari i Komitetit për Punë të Jashtme të PE-së, David Mc Allister.
Në raport progresin është përshëndetur përkushtimi i vazhdueshëm i Maqedonisë për integrim në Union, ndërsa bëhet thirrje për qetësi, dinjitet dhe pjekuri në marrëdhëniet dypalëshe.
Në dokumentin ku përmendet viti 2030 si datë kur vendi duhet të plotësojë kushtet për anëtarësim në BE, janë dorëzuar 320 amendamente, 50 prej të cilave janë të eurodeputetëve bullgarë, të cilat duhet të shqyrtohen nga anëtarët e Komisionit për Punë të Jashtme.
Me amendamentet e tyre, eurodeputetët bullgarë po përpiqen të fusin në raport pikëpamjet dhe kritikat e tyre për vendin, me vlerësime për ekzistencën e "gjuhës së urrejtjes" ndaj Bullgarisë dhe bullgarëve.
Ndër të tjera, këto ndryshime tentojnë të heqin pjesën e raportit që kërkon që procesi i negociatave të mos keqpërdoret për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dypalëshe dhe në vend të kësaj të vendoset si kusht zbatimi i Traktatit të Miqësisë, Fqinjësisë së Mirë dhe Bashkëpunimit me Bullgarinë, për pranimin e vendit në BE. (Ersan Pajaziti, TVM2)
