Sllupçan, përkujtohen 10 martirët e familjes Zymberi

24.05.2023 17:59

Familja Zymberi nga Sllupçani....

Familja Zymberi nga  Sllupçani,  që nga vitet e 90-ta  ka të shtuara aktivitetet në grumbullimin e armatimit dhe organizimin për liri. Familja Zymberi gjatë luftës së Kosovës ishin shumë aktiv e të mobilizuar në çdo lloj mënyre për ti ndihmuar vëllezërit nga Republika e Kosovës.

Edhe në fillim të luftës së vitit 2001, shtëpitë  e Zymberajve u bënë depo të armatimit për furnizimin e UÇK.

Me ardhjen e UÇK në Sllupçan më 9 mars, personat e parë që morën përjegjësi të madhe ushtarake me rol të veçant ishin Abedin Zymberi, si  Komandant i Zonës operative të Karadakut për Policinë ushtarake të UÇK-së, Nagip Zymberi si mjek i parë i Brigadës 113 Ismet Jashari dhe Ibrahim Zymberi, i cili ishte përgjegjës kryesor i depos së armatimit dhe depos në përgjithësi pa e harruar edhe mundin dhe sakrificën e anëtarëve tjerë në mërgim, tha ndër të tjera në referatin e tij Hamza Zymberi, në tubimin përkujtimor, për nder të rënies së 10 martirëve të familjes Zymberi gjatë Luftës së vitit 2001.

“Të gjithë burrat e kësaj familje veshën uniformën dhe iu bashkangjitën UÇK-së. Pjesa tjetër e familjes gra, pleqë e fëmijë dhanë besën se nuk do ta lëshojnë pragun e shtëpisë dhe se do të jenë karhu dhe ,mbështetja për djemt e tyre. Më 24 maj që në orët e para të mëngjesit filloi granatimi nga të gjitha anët si asnjëherë më parë. Në ora 10.00 të paraditës nga sulmet e armikut me helikopterë u hodhën disa granata, nga të cilët njëra depërttoi në bodrumin e familjes dhe aty u mori jetën 10-të anëtarëve, kurse 32 të tjerë u plagosën kush më shumë e kush më pak” tha Hamza Zymberi nga familja Zymberi.

“Jam këtu me ju për ta bartur plagën e rëndë që e keni pasur dhe do ta keni dhe për të cilat ju jeni edhe ngadhnjyes para të gjithëve. Dhatë shembullin më të mirë se vendlindja është mbi të gjitha duke mos u larguar“ - u shpreh Kryetari i SHVL-UÇK, Fazli Veliu.

“Kujtojmë krenarinë e familjes Zymberi dhe krenarinë e komunës tonë, andaj bashkarishtë  bëjmë homazhe para varrezave të dëshmorëve e martirëve të luftës së vitit 2001. Çdo veprim që e bëjmë bashkërisht për ti kujtuar familjet e dëshmorëve e martirëve është një akt që e kemi borxh moral e kombëtar”, - deklaroi Kryetari i Komunës së Likovës, Erkan Arifi.  

“Është krenari që sot Sllupçani lulëzon me këtë përmendore dhe me krahë të hapura i tregon botës se këtu është derdhur gjak. Dhe ky vend më është pronë e shqiptarëve, e cila edhe ka qenë, por tashmë është pronë e jona në të cilën  askush më nuk mund të ngrit dorë këtu” – theksoi ish Komandanti i PU të UÇK- Zona operative e Karadakut, Abedin Zymberi.

Më pas të gjithë të pranishmit bënë homazhe në Kompleksin e dëshmorëve, të cilët ranë në altarin e lirisë gjatë luftës së vitit 2001. (Fatlum Aqifi, TVM2)