Sllobodan Bogoevski, arrestohet nga policia me vuajtje të dy viteve burg
Ish-shefi i Drejtorisë për Zbulim dhe Kundërzbulim, Sllobodan Bogoevski, mbrëmë është arrestuar nga policia me mbajtjen e 2 viteve burg...

Vendimi me të cilin ish-shefi i Drejtorisë për Zbulim dhe Kundërzbulim, Bogoevski, u arrestua ishte i plotfuqishëm.
Ndërkohë, Gjykata Supreme duhej deri të martën të vendos për ankesën e Bogoevskit, por policia e arrestoi mbrëmë. Pas pranimit të vendimit të plotfuqishëm nga Gjykata e Apelit në dhjetor, Bogoevski ka parashtruar një kërkesë për të shtyrë ekzekutimin e dënimit, por u refuzua nga gjykatësi për shqiptimin e sanksioneve.
“I dënuari i ka dorëzuar ankesë për vendimin Gjykatës së Apelit, e cila gjithashtu me vendim të Këshillit Penal pranë Gjykatës Themelore Shkupi 1 është hedhur poshtë me 30 janar, me ç’rast vendimi për mbajtjen e dënimit me burg ishte i plotfuqishëm”- sqarojnë nga Gjykata Penale.
Pasi që Bogoevski nuk është paraqitur për të mbajtur dënimin me burg më 17 shkurt, gjykatësi për shqiptimin e sanksioneve ka dorëzuar kërkesë deri te MPB-ja për dërgimin e tij në burg. Të akuzuarit, përveç dënimit me burg, duhet të paguajnë edhe dëmshpërblim prej 950.000 euro, sepse, sipas gjyqit, përfitimet janë nga keqpërdorimi i pozitës zyrtare dhe larja e parave.
Në rastin “Agent”, që ka zgjatur disa muaj, 5 persona akuzohen për malverzime financiare. Sipas akuzës, personat në fjalë, përmes marrëveshjeve fiktive të ndërlidhura me një parcelë në afërsi të sallës “Boris Trajkovski”, kanë bërë larjen e parave. (Sanije Kasami, TVM2)
