Komuna e Çairit shpalosi aktivitetet për shënimin e “7 marsit”

20.02.2015 16:54

Lidhja e Arsimtarëve Shqiptarë, Komuna e Çairit dhe drejtorët e shkollave fillore të Çairit sot prezantuan agjendën e aktiviteteve për shënimin e 7 marsit–“Ditës së mësuesit”...

Programi do t’i përfshijë të gjitha nivelet e arsimit, duke filluar nga ai fillor, i mesëm dhe ai i lartë.

“Janë paraparë disa aktivitete. Ndër aktivitetet më kryesore do të jenë konkursi letrar në mes të nxënësve të Çairit, do të ketë ekspozitë të nxënësve nga arsimi fillor, pastaj do të ketë gara nga edukata fizike , pra turne në futboll, do të ketë takim me veteranët e arsimit, do të kemi mysafirë edhe nga Shqipëria, pastaj do të kemi edhe një tribunë për cilësitë dhe modernizimin, si sfidë e radhës së arsimit shqip dhe kuptohet, në fund do të ketë edhe akademi solemne”- deklaroi kryetari i Lidhjes së Arsimtarëve Shqiptarë, Nuhi Dardhishta.

Nga Komuna e Çairit informuan se të ftuar special për shënimin e kësaj feste do të jenë edhe mysafirë nga Shqipëria, gjegjësisht nga Korça.

“Komuna e Çairit, varësisht prej festës të cilën e shënojmë gjithmonë, parasheh një agjendë të ngjeshur të aktiviteteve, kështu ndodh edhe me shënimin e 7 marsit-“Ditës së mësuesit”. Kësaj radhe kemi paraparë që të kemi të ftuar specialë. Përveç dashamirëve të arsimit, kulturës dhe shkencës në Maqedoni, edhe nga Korça e Shqipërisë do të kemi delegacion” – tha zëdhënësja e Komunës së Çairit, Kaltrina Zekolli.

Aktivitetet për shënimin e kësaj dite duhet të fillojnë prej ditës së hënë, ku do të fillojë turneu i futbollit të vogël i shkollave fillore të Komunës së Çairit dhe këto aktivitete do të vazhdojnë deri më 7 mars, ku do të përmbyllet me akademinë solemne, që do të mbahet në Shkollën Fillore “7 marsi”. (Ersan Pajaziti, TVM2)