Debat publik për situatën ekologjike në Kërçovë
Kërçova është njëra ndër vendet me ndotje më të madhe të ambientit jetësor në RM-së...

Prandaj, Komuna e Kërçovës dhe Ministria e Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor kanë iniciuar disa projekte që do të ndryshonin sadopak situatën ekologjike në këto hapësira. Njëri ndër ato projekte është instalimi i kolektorit të ujërave fekal për të cilin sot u organizua një debat publik.
Stacioni filtrues i ujërave fekal është njëri ndër projektet primare të Komunës së Kërçovës që do të ndikojë në përmirësimin e situatës ekologjike, u tha në debatin e sotëm publik të organizuar nga Ministria e Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor.
Kolektori pastrues është shumë i rëndësishëm për këtë rajon. Kapaciteti i tij është për 45 mijë banorë dhe faza e parë e këtij projekti do të përfshijë Zajazin, Osllomenë dhe Kërçovën, ndërkaq faza përmbyllëse e këtij projekti do të inkorporojë edhe pjesët tjera të këtij rajoni, potencoi Minka Spireska, eksperte për vlerësimin e ndikimit të projekteve në ambientin jetësor.
Duke elaboruar ndikimet e mundshme për punët ndërtimore dhe operative, ajo nënvizoi se projekti në fjalë do të përfundojë në vitin 2017, ndërsa brenda kësaj periudhe kohore është planifikuar edhe rikonstruimi i rrjetit të kanalizimit fekal.
Pas prezantimit të këtij studimi u hap debati për gjendjen aktuale ekologjike në rajonin e Kërçovës, e cila krahas mungesës së stacionit filtrues, vjen dhe rëndohet edhe më tepër nga mbeturinat e qytetit që prej kohësh shtresohen përskaj brigjeve të lumit, në afërsi të Spitalit të Kërçovës. Kolektori filtrues dhe dislokimi i deponisë sanitare janë dy projektet që mund të përmirësonin situatën ekologjike në Kërçovë dhe investimi për këto dy projekte kapitale është i domosdoshëm, u tha ndër të tjera në debatin e sotëm kushtuar situatës ekologjike në këto hapësira. (Shabani Dalipi, TVM2)
