Johanes Han: Në Maqedoni ka një krizë të thellë politike

20.02.2015 17:42

Eurokomisari për zgjerim, Johanes Han, ka deklaruar se në Maqedoni ka një krizë të thellë politike...

Ai u ka dërguar porosi të gjithë aktorëve politikë në Maqedoni, duke kërkuar nga ata kapërcimin e situatës nëpërmjet dialogut në kuvend dhe parimeve themelore të sundimit të së drejtës.

Këtë porosi të tij Han e dërgoi nga konferenca e sotme për shtyp, pas vizitës këtë javë në Shkup, e lidhur me ngjarjet aktuale në Maqedoni, njofton Agjencia e Lajmeve MIA. 

"Çdoherë kërkoj të gjithë partnerët ta zgjidhin këtë konflikt me respekt të parimeve themelore të sundimit të së drejtës, ndërsa nëse ka materiale që akuzojnë se ka ndikim kriminel ose diçka të ngjashme, duhet të dërgohen deri te ata që janë në pushtet, por ata janë prokuroria dhe sistemi gjyqësor, të cilat këtë duhet ta përcjellin në mënyrë adekuate, të pavarur dhe transparente. Të gjitha palët politike duhet ta zgjidhin dallimin e tanishëm politik në parlament, me respektimin e tërësishëm të të drejtave themelore dhe pavarësisë së gjyqësisë, që vendi të largohet nga gjendja ku është tani. Për këtë shkak kërkova përkrahje edhe nga institucionet e tjera evropiane"- tha Han.

Zhvillimet e fundit politike në Maqedoni, sipas të gjitha gjasave, do të jenë edhe pjesë e bisedave midis kryeministrit, Nikolla Gruevski, dhe njeriut të parë të Këshillit të Evropës, Zhan Klod Junker, të enjten, më 26 shkurt, në Bruksel.

Informacionin për vizitën e kryeministrit Gruevski në Bruksel e ka publikuar zëdhënësi i eurokomisarit, Margaritis Shinas, duke konfirmuar se ky do të jetë takimi i parë ndërmjet kryeministrit të Maqedonisë dhe udhëheqësit joformal të Qeverisë së Bashkimit Evropian, që kur e trashëgoi këtë post nga Zhoze Manuel Barosso. (Naim Ramadani, TVM2)