Zaev: Pushteti do të asgjësojë ata që nuk janë me të

20.02.2015 18:04

Kreu i LSDM-së, Zoran Zaev, publikoi sot disa biseda nga përgjimi, të realizuara mes shefit të DSK-së, Sasho Mijallkov dhe kryeredaktorit të TV Sitel, Goran Pavlloviq Llatas, që sipas tij dëshmojnë procesin e montuar politik kundër Ljube Boshkovskit, i arrestuar 1 ditë pas zgjedhjeve të vitit 2011...

Në bisedën e publikuar, Mijallkov sqaron se si e ka arrestuar Boshkovskin në formë poshtëruese, ndërkaq kërkon që poshtërimi të vazhdojë edhe në media.

Për veprën për të cilën është ngarkuar Mijallkov tregon se sa vite do të dënohet Boshkovski që në ditën e arrestimit, ndërsa paralajmëron se do ta poshtërojë edhe në burg.

“Maja e gjithë filmit horror që e bëjnë rreth Boshkovskit është shpërfytyrimi i qëllimit të tyre kryesor, që të merret partia e Lube Boshkovskit dhe kini kujdes se cila fjalë përdoret: “të asgjësohen të gjithë ata që nuk janë të tanët”. Të asgjësojnë të gjithë që nuk janë të tyre, është ideja e madhe e VMRO-DPMNE-së”- deklaroi kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.

Por, hakmarrja nuk përfundon vetëm me arrestimin e Boshkovskit. Në një bisedë tjetër mes ministres së Brendshme, Gordana Jankullovskës dhe Martin Protugerit, shef i kabinetit të kryeministrit, Nikolla Gruevski, kuptohet se si këta të dy, përmes mediave të tyre, përpiqen ta poshtërojnë Boshkovskin, duke ia mveshë se ai “ka dashur të shesë emrin”. Por, jo vetëm kaq, përderisa Protuger thotë se do t’ia shkatërrojë partinë Boshkovskit, Jankullovska thotë se duhet larguar nga puna të gjithë njerëzit e partisë së tij. 

Zaev, njoftoi se LSDM-ja tanimë ka hequr dorë nga kërkesa për qeveri teknike, nuk pret zgjidhje juridike, pasi vlerëson se në Maqedoni nuk ekzistojnë institucione të sistemit, drejtësi dhe shtet ligjor, prandaj, sipas tij, zgjidhja e vetme e situatës në Maqedoni është zgjidhja politike.  

“Nuk presim zgjidhje juridike. Presim zgjidhje politike, që d.m.th. ky pushtet dhe kjo e keqe duhet të shkojë. Me dëshmitë në formë të kujdesshme do të bie ky pushtet”- tha kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.

Zaev, hodhi poshtë edhe spekulimet se LSDM-ja po përgatit konflikt ndëretnik dhe marrjen e pushtetit me dhunë. Sipas tij, një gjë e tillë nuk është e nevojshme, pasi me publikimin e dëshmive kjo qeveri do të bie vetvetiu. Ndërkaq, u zotua se do të menaxhojë situatën nëse një gjë e tillë e nxit ndonjë palë tjetër. (Shpëtim Nuredini, TVM2)