Maqedoni

Osmani nga Prishtina: OSBE-ja mbështet dialogun udhëhequr nga BE-ja

26.05.2023 13:17

Çështja e brendshme e Kosovës, dialogu i udhëhequr nga BE-ja, roli i OSBE-së në Kosovë....

Çështja e brendshme e Kosovës, dialogu i udhëhequr nga BE-ja, roli i OSBE-së në Kosovë, perspektiva e dy vendeve, si dhe zhvillimet tjera në Evropë, ishin në fokusin e takimit të kryesuesit të OSBE-së dhe njëherit edhe ministrit të jashtëm Bujar Osmanit me përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës. Me këtë rast Osmani ka theksuar rolin e bashkëpunimit mes vendeve rajonale që sipas tij, minimizon konfliktet dhe mosmarrëveshjet, ndërkaq i hap rrugën eurointegrimit.

“Kemi adresuar prioritetet e politikës së jashtme dhe kemi deklaruar se sa më shpejt të integrohemi në BE, aq më i mirë do të jetë prosperiteti në vendet tona.”, - deklaroi ministri i jashtëm, Bujar Osmani.
 
Në fokus të bisedimeve ka qenë edhe dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja. Osmani apelon për uljen e tensioneve në veri të Kosovës dhe siguron mbështetjen e fuqishme të OSBE-së.
 
“Ne mbështesim fuqimisht dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe inkurajoj progresin së fundmi me deklaratën e personave e zhdukur. Siç e riafirmova në Serbi, është me rëndësi krucuale që  ta kalojmë faqen tjetër dhe ta shohim të ardhmen së bashku. Është e rëndësishme që të ulen tensionet  në terren  në Kosovën Veriore  dhe  t’i jepet hapësirë procesit  politik të dialogut.”, - theksoi ministri i jashtëm, Bujar Osmani.
 
Donika Gërvalla Schwartz: Me RMV-në kemi bashkëpunim, por mundet avancim
 
Ministrja e Kosovës, Donika Gërvalla, me falënderim për punën e OSBE-së në Kosovë, si dhe trajtimin e temave që sigurojnë paqe dhe stabilitet rajonal. Nënvizon bashkëpunimin e mirë dypalësh mes Kosovës dhe RMV-së, por shton  nevojën për avancimin e mëtejmë bilateral në fusha të ndryshme.    
 
“U pajtuam që kemi nevojë të dy qeveritë të punojnë edhe në shumë, jo vetëm në implementimin e marrëveshjeve që kemi deri më sot, por sidomos në gjetjen e mënyrave të tjera të bashkëpunimit mes dy shteteve tona fqinje. E falënderova gjithashtu, edhe për rolin si kryesues të OSBE-së në hapjen e dialogut dhe debatit për temat të cilat janë të rëndësishme  për paqen afatgjate në rajon tonë. Biseduam edhe për marrëveshjet që rezultojnë nga procesi i Berlinit.”, - u shpreh ministrja e jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla Schwartz. 
 
Temat aktuale janë shtruar edhe në takimin e diplomatit të shtetit, Osmani me presidenten  e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Ministri Osmani ka vizituar edhe veriun e Kosovës.
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU