Merkel-Hollande: Të zbatohet armëpushimi në Ukrainë

20.02.2015 18:18

Presidenti francez, Franscois Hollande dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel, nga Parisi kanë kërkuar zbatimin e plotë të marrëveshjes për armëpushim në Ukrainë...

Presidenti i Francës tha se ai dhe kancelarja gjermane janë "të bindur më shumë se kurrë" se marrëveshjet e Minskut, që kanë për synim dhënien fund të luftimeve në Ukrainë, duhet të implementohen plotësisht. "Armëpushimi është shkelur disa herë. Tani duhet të respektohet plotësisht në tërë linjën e frontit"- tha Hollande.

Ndërkohë, ministri i Jashtëm i Francës, Laurent Fabius, tha se ai do të takohet më tre mars në Paris me homologët e tij nga Rusia, Gjermania dhe Ukraina për të diskutuar konfliktin.

Luftimet midis separatistëve të mbështetur nga Rusia dhe forcat qeveritare ukrainase kanë vazhduar në lindje të Ukrainës edhe pse Hollande e Merkel ndërmjetësuan bisedimet për armëpushim në kryeqytetin e Bjellorusisë, Minsk.