Komunat veriore të Kosovës, policia asiston futjen e kryetarëve në komuna

26.05.2023 15:28

Pasi të enjten kryetarët shqiptarë të komunave veriore të Kosovës....

Pasi të enjten kryetarët shqiptarë të komunave veriore të Kosovës dhanë betimin, policia e Kosovës ka asistuar kryetarët e Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut për të ushtruar të drejtën e tyre në punë, në objektet zyrtare të komunave.

Në mesditë, në të katër komunat me shumicë serbë, u dëgjuan sirena alarmi, ndërkohë para objekteve komunale në Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq u mblodhën dhjetëra qytetarë, me tendencën për të penguar futjen e kryetarëve të komunave në objektet komunale, me ç’rast janë dëgjuar edhe të shtëna armësh.

Por, policia e Kosovës ka arritur që të futet në objektin e komunës së Zveçanit, pasi ka përdorë gaz lotsjellës. Qytetarët serbë kanë gjuajtur Policinë e Kosovës me gjësende të forta.

Policia e Kosovës ka konfirmuar nëpërmjet një komunikate se sipas autorizimeve ligjore dhe kushtetuese po ndërmerr veprimet e saja policore në ofrimin e sigurisë, ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, si dhe ndërmarrjen e masave policore me qëllim të parandalimit të të gjitha veprimtarive kriminale që paraqiten në vend.

“Sipas detyrës zyrtare, sot Policia e Kosovës është duke asistuar kryetarët e komunave veriore Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, për të ushtruar të drejtën e tyre në punë, në objektet zyrtare të komunave përkatëse.”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Zgjedhjet lokale në veri të Kosovës u mbajtën më 23 prill, pas dorëheqjes së kryetarëve të komunave nga radhët e Listës Serbe. (Vlora Latifi-Topojani, TVM2)