Ndryshimet Kushtetuese, Grupi i punës po mban mbledhje, VMRO-DPMNE: Duan ridefinim kemi informata nga Grupi i punës

26.05.2023 17:16

Grupi i punës i formuar pranë Ministrisë së Drejtësisë...

Grupi i punës i formuar pranë Ministrisë së Drejtësisë me detyrë për përgatitjen e propozim nismës për nevojën për ndryshime të Kushtetutës po mban mbledhje.

Ky grup ka për obligim t’i përgatisë Ndryshimet Kushtetuese në pajtim me kornizën negociuese dhe asgjë më tepër, ka deklaruar disa herë kryetarja e Grupit, Margarita Caca Nikollovska, por dhe kryeministri Kovaçevski.

Ndërkohë, nga partia më e madhe opozitare në vend, në vazhdimësi ka akuza sa i përket Ndryshimeve Kushtetuese.

Së fundmi, ata kanë akuzuar se po përgatitet ridefinim i RMV-së. Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, i bëri thirrje sot kryeministrit Dimitar Kovaçevski t’i vendosë në rend dite në Kuvend ndryshimet kushtetuese dhe nëse tregohet se nuk ka shumicë të japë dorëheqje.

Mickoski përsëriti se në këtë përbërje kuvendore dhe me këto kushte dhe rrethana ndryshime të Kushtetutës nuk do të ketë.

“Inkurajojmë Ali Ahmetin dhe Dimitar Kovaçevskin që ta paraqesin këtë kërkesë dhe le të votojnë deputetët, të shohim si do të votojnë. Ata ekspertë marrin para nga buxheti për punë për të cilat aktualisht nuk kanë mandat. Ata mund të marrin mandat vetëm nëse Kuvendi voton për nevojën e hapjes së Kushtetutës. Nëse Parlamenti nuk voton në fazën e parë dhe çfarë do të ndodhë, nevoja për hapjen e Kushtetutës, atëherë puna e tyre është e kotë. Kanë qëllim që preambula të ndryshohet dhe Maqedonia të ridefinohet si shtet i dy popujve, bashkësi etnike, më pas pakicat. Pra, i ndajnë qytetarët në tre shtylla. Kjo informatë vjen direkt nga Grupi i  punës.”, - deklaroi kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski.

Por, partitë në pushtet në vazhdimësi kanë ftuar VMRO-në të vendosë mes rrugës evropiane të vendit dhe qëndrimit pro rus të së Majtës.

Nga Ministria e Drejtësisë kanë informuar se pasi të përgatiten Ndryshimet Kushtetuese, propozimi do t’i kalojë të gjitha trupat e punës në kuadër të Kuvendit, ndërsa paralelisht me punën e grupit do të mbahen edhe debate profesionale dhe publike në të cilat ekspertë, parti, organizata qytetare dhe institucione të tjera do të mund t’i thonë qëndrimet e veta. Është paraparë që propozuese zyrtare e Ndryshimeve Kushtetuese të jetë Qeveria. (Florije Kamberi, TVM2)