Botë
Kosova, situata ne veri të kosovës e ’’qetë’’
27.05.2023 16:51
Ndërtesat komunale në Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviç mbeten nën siguri të fortë policore...

Ndërtesat komunale në Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviç mbeten nën siguri të fortë policore të Policisë së Kosovës pas trazirave në të cilat pati të lënduar dje. Gatishmëria luftarake e ushtrisë serbe është ende në nivelin më të lartë u tha në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Serbisë.
“Presidenti i Republikës tha dhe paralajmëroi ditët e fundit se Kurti nuk do të ndalet dhe do të vazhdojë me aktivitetet që synojnë rrezikimin e mëtejmë të komunitetit serb. Serbia është plotësisht e përkushtuar për vazhdimin e dialogut. Ne nuk duam përshkallëzim të konfliktit, nuk duam luftëra, nuk bëjmë lojëra luftarake”, u shpreh ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Milosh Vuçeviç.
Kryeministri i Kosovës Kurti u bëri thirrje të gjithë qytetarëve, veçanërisht serbëve, që të bashkëpunojnë me kryetarët e rinj dhe kabinetet e tyre, të cilat sipas tij do të jenë multietnike dhe shumëgjuhëshe.
“Si kryeministër i të gjithë qytetarëve, ftoj të gjithë, veçanërisht qytetarët serbë të Kosovës, që të bashkëpunojnë me kryetarët e rinj dhe kabinetet e tyre, të cilat do të jenë multi-etnike, multi-kulturore, multi-gjuhësore dhe multi-partiake. Ata janë të zgjedhur dhe nuk janë kundër askujt, por në shërbim të të gjithëve. Dëshiroj të falenderoj pjesëtarët e Policisë së Republikës së Kosovës për qëndrimin e tyre profesional, shtetëror dhe në mbrojtje të sundimit të ligjit”, ka shkruar kryeministri i Kosovës Kurti në Facebook.
Komuniteti ndërkombëtar dënoi incidentet e fundit. NATO kërkon nga Prishtina një deeskalim të menjëhershëm të situatës. Sipas SHBA-së, trazirat po dëmtojnë më tej marrëdhëniet Beograd-Prishtinë. BE paralajmëroi se çdo veprim shtesë i njëanshëm ose provokues është i papranueshëm.
Tensionet në komunat me shumicë serbe të Kosovës erdhën pasi kryetarët e sapozgjedhur të komunave në zgjedhjet e bojkotuara nga serbët morën detyrën dhe hynë në ndërtesat komunale.
Janë dëmtuar disa automjete zyrtare të policisë, ekipeve të shtypit dhe EULEX-it. Të shtëna janë raportuar edhe në disa lokacione, për këtë arsye është hapur një hetim.
SEDAT SELIMI
