Botë

Rusia kryen sulme masive me dronë në Kiev

28.05.2023 13:41

Forcat ruse kanë shënjestruar Kievin me një valë të madhe të sulmeve ajrore mëngjesin e 28 majit...

Forcat ruse kanë shënjestruar Kievin me një valë të madhe të sulmeve ajrore mëngjesin e 28 majit, thanë zyrtarët ukrainas, duke e përshkruar si sulmin “më të madh” me dronë ndaj këtij qyteti që nga nisja e luftës.
 
Sulmet ajrore vijnë në kohën kur shënohet Dita e Kievit, apo 1.541-vjetori i themelimit të qytetit. Sistemet e mbrojtjes ajrore të Ukrainës kanë rrëzuar të paktën 40 dronë, ndërkaq rrëzimi i tyre ka vrarë të paktën një person dhe plagosur dy të tjerë thanë zyrtarët.
 
Serhiy Popko, kreu i administratës ushtarake të Kievit, tha se Rusia ka përdorur dronët e prodhimit iranian, Shahed për të kryer sulmet në Kiev, që është qyteti më i populluar në Ukrainë me rreth 3 milionë banorë.
 
Sulmet e fundit vijnë në kohën kur po pritet që të nisë kundërofensiva ukrainase, që synon të largojë nga territori ukrainas forcat ruse, të cilat nisën pushtimin e Ukrainës në shkurt të vitit të kaluar.