Maqedoni
Kapacitetet për jetësimin e ligjeve evropiane, Kacarska: Nëse s’i kemi, t’i sigurojmë me kohë
28.05.2023 16:59
Implementimi i reformave dhe ligjeve evropiane i cili pritet të intensifikohet...

Implementimi i reformave dhe ligjeve evropiane i cili pritet të intensifikohet pas mbarimit të procesit të skriningut, respektivisht me hapjen eventuale të klasterëve me BE-në, ka mundësi të has në vështirësi për shkak të mungesës kadrovike.
Këtë e thonë shpesh funksionarët shtetërorë, e për ta mënjanuar problematikën, ekspertët e fushës sugjerojnë shtetin që t’i përgatis kuadrot me kohë, në mënyrë që harmonizimi i ligjeve vendore me ato evropiane të vijojë më shpejt.
Simonida Kacarska nga Instituti për Politikë Evropiane e vlerëson në nivel të konsiderueshëm përputhjen e ligjeve me ato të BE-së, duke e krahasuar me vendet që tashmë me vite kanë hapur bisedimet, por gjithsesi thekson nevojën për gadishmëri edhe më të madhe në këtë aspiratë.
“Do të ishte jashtëzakonisht dëshpëruese nëse tash prap themi se s’kemi kapacitete të implementojmë… Për shkak të ngecjes në vend për më shumë se një dekadë, kapacitetin e ndërtuar mund të mos e kemi në atë numër që duam, por ky sigurisht është sinjal i shtetit se duhet t’i sigurojë kapacitetet sa më shpejt dhe mos të presim të shohim çka do të ndodh në të ardhmen dhe ta humbim kohën”, u shpreh Simonida Kacarska nga instituti për politikë evropiane.
Evropianizimi i shoqërisë, Kacarska: Duhet të jemi të tillë për vete, jo për BE-në
Një element tjetër ku duhet punuar është sjellja evropiane dhe demokratike e shoqërisë. Për eksperten e fushës, evropian duhet bërë për shkak të vlerave dhe jo për arsye të synimit për t’iu bashkuar organizatës supranacionale.
“Ky është proces afatgjatë. BE-ja apo vet integrimi në BE nuk e garanton këtë. Shohim se kemi vende anëtare të Unionit që kanë trende negative, regres demokratik dhe në fund të ditës qëndrueshmëria e reformave varet nga ne si shoqëri, sa do të jemi në gjendje që t’i përkrahim, avancojmë, të cilat së fundmi janë në të mirë të qytetarëve në këtë shtet dhe jo në të mirë të qëllimit për integrim në BE”, theksoi Kacarska.
Pritet që javëve në vijim Komisioni Evropian të dorëzojë raport detajues për klasterin 1 dhe 2 dhe më pas organet përgjegjëse do të përpilojnë udhërrëfyes në bazë të së cilave do të vijojnë reformat dhe progresi i shtetit.
NERMIN MULAKU FEJZULLAHU
