Ligjet për korridoret 8 dhe 10-D presin dekretimin e presidentit
Ligjet për ndërtimin e Korridorit 8 dhe 10D...

Ligjet për ndërtimin e korridorit 8 dhe 10-D i janë dërguar presidentit të shtetit për dekretim. Nga presidenca kanë njoftuar, se presidenti së bashku me ekipin e tij juridik, do t’i shqyrtojë ndryshimet e miratuara ligjore dhe më pas do të del me qëndrim nëse dhe cilat dekrete do të nënshkruhen.
“Pasi që janë më shumë ligje, do të duhen disa ditë që presidenti t’i shqyrtojë me ekipin e tij juridik.”, thonë nga presidenca e RMV-së.
Paraprakisht, presidenti Pendarovski kishte deklaruar se një pjesë e këtyre ndryshimeve ligjore janë kontestuese.
Ai pati thënë se propozim ndryshimet e Ligjit për marrëdhënie pune, që parashohin zgjatje të javës së punës për punëtorët e angazhuar në projekte të interesit nacional dhe strategjik, janë jokushtetuese.
Pendarovski e pati vlerësuar si kontestues edhe propozim ndryshimin e ligjit për shpronësim, pasi ata parashohin, që kur të ketë vendim për shpronësim për ndonjë pronë, ai menjëherë të vihet në dispozicion të “Bechtel dhe Enka” dhe nuk do të pritet që vendimi të hyjë në fuqi.
Kuvendi i Maqedonisë së Veriut, të premten, me procedurë të shkurtuar, miratoi ndryshimet dhe plotësimet e pesë ligjeve që lidhen me realizimin e marrëveshjes me “Bechtel dhe Enka” për ndërtimin e katër autostradave të korridorit 8 dhe 10-D.
