Situatë e tensionuar në veri të Kosovës, KFOR-i krijoi kordon të sigurisë në Zveçan
Policia e Kosovës është sulmuar....

Policia e Kosovës është sulmuar sot para objektit të komunës së Zveçanit nga serbët, të cilët tentonin të kalonin kordonin për t’u futur me dhunë në objektin komunal, duke hedhur gaz në drejtim të pjesëtarëve të sigurisë. Pas këtyre zhvillimeve, objekti i komunës së Zveçanit është “blinduar” sa i përket forcave të mëdha të policisë së Kosovës e ushtarëve të KFOR-it që janë vendosur në hyrje të objektit.
Ushtarët e KFOR-it kanë krijuar një kordon të vetin të sigurisë.
Siç ka konfirmuar policia e Kosovës, protestuesit e mbledhur para objektit të kësaj komune kishin shfaqur dhunë dhe kishin gjuajtur gaz lotsjellës në përpjekjen për të thyer kordonin e policisë, megjithatë policia iu është përgjigjur me sprej, për të vendosur rendin.
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovernier i ka ftuar në takim kryetarët e Zubin Potokut, Leposaviqit dhe Zveçanit.
Ftesës i janë përgjigjur ai i Zubin Potokut Izmir Zeqiri dhe i Zveçanit, Ilir Peci.
Në takim nuk ka shkuar Lulzim Hetemi, i cili është kryetar i zgjedhur në Leposaviq dhe vjen nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje. Siç raportohet, ai dhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, Sali Zyba, janë futur në komunë që nga ora 06:00 e mëngjesit.
