Te Shqipëria presin shumë nga Pajaziti

29.05.2023 13:48

Një shkrim të gjatë ia ka kushtuar Federata Shqiptare e Futbollit...

Një shkrim të gjatë ia ka kushtuar Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) të dielën talentit kosovar, Adrion Pajaziti. Mesfushori i Shpresave të Shqipërisë ka rrëfyer hapat e parë në futboll, krahasimin me legjendën e Kroacisë dhe Realit, Luka Modriq, dhe ëndrrat që ka me Shqipërinë.

Mesfushori 20-vjeçar ka luajtur tri ndeshje me fanellën e Kosovës U21, por më pas vendosi të luajë për Shqipërinë U21. Synon të luajë edhe me ekipin A të Shqipërisë.

“Që i vogël, siç më tregojnë prindërit, kam qenë gjithmonë me topin në duar e këmbë duke luajtur nëpër shtëpi. Poshtë banesës kemi pasur një fushë të vogël, ku luanim të gjithë fëmijët e lagjes. Pasi mbaroja mësimin në shkollë, lija çantën në shtëpi dhe luaja aty deri kur errësohej dhe më thërriste nëna. Kam shtyrë veten drejt këtij sporti, por edhe familja që më kanë regjistruar në klub futbolli”, ka thënë Pajaziti për FSHF-në.

Ai thotë se ka pasur mbështetjen e madhe të prindërve dhe motrës. Tregon se e kanë përcjellë rregullisht në stërvitje dhe ndeshje.

Pajaziti kujton edhe debutimin me Shpresat e Shqipërisë.

“Jam ndier shumë, shumë i kënaqur, shumë krenar, kur kam luajtur herën e parë me Shqipërinë U21. Luajtëm në shtator në Kroaci ndaj Maqedonisë së Veriut dhe Kroacisë. Kam shënuar menjëherë gol. Ishte ndjenjë e bukur, krenari, shumë emocion. Më pëlqen shumë kur luaj me Kombëtaren”, është shprehur Pajaziti.

Ai po tregohet i suksesshëm me ekipin U-21 të Shqipërisë. Në pesë ndeshje prej shtatorit të vitit të kaluar e tutje ka shënuar katër gola.