Botë

Tensione në veri të Kosovës, reagime të shumta ndërkombëtare

29.05.2023 14:34

Situatë e tensionuar ka mbretëruar sërish në komunat veriore të Kosovës, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq...

Situatë e tensionuar ka mbretëruar sërish në komunat veriore të Kosovës, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, ku protestues serb kanë tentuar me dhunë të pengojnë hyrjen e kryetarëve shqiptarë të komunave. Policia e Kosovës dhe pjesëtarët e KFOR-it kanë penguar turmën të futet në objektin e komunës në Zveçan. Turma nuk ka kursyer as ekipet e gazetarëve, ndërsa ka hedhur gjësende të forta dhe vezën ndaj policisë. Bashkësia ndërkombëtare është "thellësisht e shqetësuar" për situatën në veri të Kosovës, ka thënë ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, pas takimit që zhvilloi me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.
 
"Ne jemi thellësisht të shqetësuar. E përsëris, nuk është mister që Qeveria amerikane dhe qeveritë e QUINT-it së bashku e kanë thënë se është e rëndësishme të shmangen rrethanat kur zyrtarët publikë hyjnë me dhunë në ndërtesat publike. Ky vazhdon të jetë qëndrimi ynë, prandaj biseda jonë me kryetarët ishte se si ata mund të përmbushin detyrat e tyre për t’iu shërbyer të gjithë qytetarëve, siç pritet nga ta dhe siç ne duam që ata të veprojnë, por në një mënyrë që tregon se ata janë të përkushtuar për të qenë përgjegjës për të gjithë qytetarët, që për ne tani nënkupton mos hyrjen në ndërtesat publike përmes përdorimit të forcës.", - deklaroi ambasadori i ShBA-ve, Jeffrey Hovenier. 
 
Deputetja e Parlamentit Evropian dhe raportuesja për Kosovën, Viola von Cramon-Taubadel, duke folur rreth situatës në veri, ka thënë se Qeveria po bënë manovra të rrezikshme në këtë pjesë të vendit. Sipas saj, dialogu është e vetmja zgjidhje për këtë situatë. Sipas saj, ndonëse kryetarët janë zgjedhur në mënyrë legjitime, askush nuk mund të qeverisë me një apo dy për qind të votave.
 
“Unë e vizitova veriun dhe jam e brengosur se është situatë e tensionuar, atje gjenden shumë pjesëtarët të njësisë së forcave speciale. Kryetarët janë zgjedhur në mënyrë legjitime, por kjo nuk nënkupton që ata kanë fuqi legjitime që të hyjnë në objekte dhe që këtë qasje ta sigurojnë më forcë, askush nuk mund të qeverisë me një ose dy për qind të votave. Situata nuk është e qëndrueshme.”, - theksoi eurodeputetja, Viola von Cramon-Taubadel.
 
Lidhur me situatën në veri të Kosovës kanë biseduar edhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jes Stoltenberg me shefin e diplomacisë evropiane, Josep Borrell. Ai ka kërkuar nga autoritetet e Prishtinës që të mos bëjnë hapa të njëanshëm. Shefi i diplomacisë evropiane ka telefonuar edhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. 
 
“Kryetarët e zgjedhur do të ofrojnë shërbime për të gjithë qytetarët. Është e rëndësishme të intensifikohet dialogu për zbatimin e plotë të marrëveshjes themelore.”, ka shkruar Kurti në Twitter, duke njoftuar për bisedën me Borrell. 
 
Ndërkohë nuk kanë munguar kërcënimet nga Serbia. Ministri serb i mbrojtjes, Millosh Vuçeviq, tha se janë ndërmarrë të gjitha masat lidhur me urdhrin e presidentit Aleksandar Vuçiq për rritjen e gatishmërisë luftarake. Situatën në veri të Kosovës e ka komentuar edhe shefi i diplomacisë ruse, Sergej lavrov, sipas së cilës situata mes Kosovës dhe Serbisë është alarmante dhe duket se do të ndodhë shpërthim i madh në qendër të Evropës. 
 
“Eksplodim i madh po përgatitet në qendër të Evropës. Pikërisht në vendin ku në vitin 1999 NATO ka kryer agresion ndaj Jugosllavisë, duke i shkelur të gjitha parimet e menduara të aktit themeltar të Helsinkit dhe dokumentet e OSBE-së, të cilat edhe njëherë theksojnë se kjo që po ndodh sot në botë është e natyrës gjeostrategjike dhe është e nevojshme zgjidhje gjeopolitike.”, - theksoi  Sergej Lavrov nga MPJ i Rusisë.
 
Por, misioni i KFOR-it i udhëhequr nga NATO ka lëshuar një komunikatë për media në të cilën njofton se ka shtuar praninë në katër komunat e veriut të Kosovës, pas zhvillimeve të fundit atje. Por kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, duke vlerësuar se “situata në Kosovë nuk ka qenë kurrë më e vështirë”, njëherit ka pretenduar se “ishte i vonshëm reagimi i KFOR-it, detyra e të cilit është mbrojtja e interesave dhe paqes së popullit të Kosovës”, e jo, siç tha ajo, “mbrojtja e uzurpatorëve”.
 
GYLTENE SINANI