Ekonomi

Bekteshi për çmimet: Ulet inflacioni, s'do të ketë shtrenjtim të rrymës

29.05.2023 15:20

Masat për ngrirjen e çmimeve të produkteve bujqësore nuk do të vazhdohen, për shkak se inflacioni shkon vazhdimisht në ulje...

Masat për ngrirjen e çmimeve të produkteve bujqësore nuk do të vazhdohen, për shkak se inflacioni shkon vazhdimisht në ulje, bëri të ditur ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi. Por, në gjysmën e dytë të vitit nuk do të ketë shtrenjtim të rrymës elektrike, thotë Bekteshi duke shtuar se Këshilli energjetik në kuadër të Qeverisë, muajin e ardhshëm do ta bisedojnë modelin për shfrytëzimin e energjisë elektrike për vitin 2024.
 
“Nuk do të vazhdojë masa në pjesën e produkteve bujqësore, për shkak se në bazë të të dhënave që i kemi si Ministri e Ekonomisë, shumica e produkteve  janë edhe më çmim më të ulët se nga çka ishim me çmim të ngrirë. Duhet të përmendet fakti se po ulet inflacioni në Maqedoninë e Veriut, sidomos tek prodhimet ushqimore dhe presim deri në qershor të kemi ulje të inflacionit edhe për 10%.”, - deklaroi ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi. 
 
Ministri boshnjak, Kosharac: Duam bashkëpunim, "Ballkani i hapur" mundësi
 
Komentet, Bekteshi i bëri pas takimit me homologun nga Bosnja dhe Hercegovina, Stasha Kosharac.  Bekteshi me këtë rast apeloi për zgjerimin e iniciativës "Ballkani i hapur" duke potencuar benefitet që sigurohen nga bashkëpunimi rajonal. Ministri boshnjak Kosharac thotë se vendi i tij po shqyrton mundësinë për anëtarësim në këtë nismë.
 
“Mund të bëjmë hap të mirë dhe Bosnja Hercegovina t'i qaset “Ballkanit të hapur” dhe kështu do të përmirësohet  tregtia mes Maqedonisë së Veriut dhe Bosnjë Hercegovinës, por edhe me vendet tjera anëtare të iniciativës. Turizmi është degë që duhet zhvilluar, sepse kemi përparësi krahasuese dhe potenciale dhe duhet definuar drejtimi i zhvillimit.”, - theksoi ministri i tregtisë së jashtme në Bosnjë dhe Hercegovinë, Stasha Kosharac.
 
Bartësit e ekonomisë së dy vendeve nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi për ekonomi, afarizëm dhe turizëm, ndërsa kanë biseduar edhe për energjetikë dhe ndërtimin e qendrave të gazit.
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU