Maqedoni
Ndryshimet kushtetuese, Kovaçevski: Deputetët të votojnë për popullin
29.05.2023 15:55
Kryeministri Dimitar Kovaçevski shprehet i vendosur që t’i udhëheqë dhe propozojë të gjitha vendimet e nevojshme...

Kryeministri Dimitar Kovaçevski shprehet i vendosur që t’i udhëheqë dhe propozojë të gjitha vendimet e nevojshme që Maqedonia e Veriut të vazhdoj rrugën e saj evropiane. Ai fton deputetët që sa u përket ndryshimeve kushtetuese votën ta japin për popullin e jo për karrierën personale politike.
“Shpresoj se të gjitha partitë politike në vend, të gjithë përfaqësuesit e popullit, deputetët do të njohin rëndësinë e këtij vendimi dhe votën e tyre do të japin për popullin e jo për karrierën personale të cilit do politikan. Edhe një herë dërgoj mesazh dhe thirrje për unitet për bashkim, përpjekje dhe ngritje mbi dallimet tona politike dhe ideologjike në emër të një jete më cilësore dhe një të ardhmeje më të sigurt për të gjithë ne dhe për brezat e ardhshëm.”, - deklaroi kryeministri, Dimitar Kovaçevski.
VMRO-DPMNE: Ndryshimet kushtetuese nuk kalojnë në Kuvend
Por, VMRO-DPMNE-ja opozitare i kërkon kryeministrit të paraqesë në Kuvend për votim çështjen e ndryshimeve kushtetuese, për të konstatuar se nuk e ka shumicën për realizimin e tyre. Sipas VMRO-DPMNE-së, veprimi i tillë i Kovaçevskit do të kursejë paratë e buxhetit, ndërsa integrimi evropian nuk do të shndërrohet në asimilim dhe fshirje të identitetit, kulturës dhe historisë maqedonase.
“Dimitar Kovaçevski sa më parë duhet ta paraqesë për votim në Kuvend çështjen për amendamentet kushtetuese, që ta sheh se s’ka shumicë dhe të shpallen zgjedhje. Njëkohësisht, në Kuvend të dorëzojë edhe dorëheqjen e nënshkruar. Ekspertët e supozuar që punojnë për ndryshime pa mandat nga Kuvendi, janë plotësues të dëshirave dhe ideve partiake që çojnë deri në ripërcaktimin e karakterit unitar të Maqedonisë.”, - theksoi zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së Naum Stoilkovski.
Taravari: Mungesë inteligjence shqipen ta quash 20%
Ndërkohë, Aleanca për Shqiptarët vazhdon të insistojë që pjesë e ndryshimeve kushtetuese të jetë edhe heqja e 20 përqindëshit.
“Në vitin 2012 prestigjiozja amerikane “New York Times” do të botonte një kërkim shkencor, ku thuhet se gjuha shqipe është një ndër tri gjuhët më të vjetra në botë. A nuk është mungesë inteligjence që këtë pasuri botërore ta quash 20%?!”, ka shkruar në rrjetet sociale, kreu i ASH-së, Arben Taravari.
SANIJE DURAKU
