Maqedoni

Gjykimi për tragjedinë në Spitalin modular, vendimi gjyqësor do të shpallet më 5 qershor

29.05.2023 16:14

Pas shumë anulimeve dhe mungesës, herë të avokatëve herë të akuzuarve, u përmbyllë procesi gjyqësor në Gjykatën Themelore në Tetovë...

Pas shumë anulimeve dhe mungesës, herë të avokatëve herë të akuzuarve, u përmbyllë procesi gjyqësor në Gjykatën Themelore në Tetovë për zjarrin e modularit në Tetovë. Prokuroria, kërkoi dënimin e katër të akuzuarve, Boban Vuçevskit, si mjek dhe për dy ish-drejtorët, Florin Besimi e Artan Etemi, si dhe Spitalin Klinik të Tetovës, si person juridik. Ndërsa, mbrojtja në fjalën e tyre të fundit tha se në modular ka pasur aparate kundër zjarrit, andaj edhe kërkuan lirimin e të akuzuarve. 
 
Në seancë të pranishëm ishin edhe mbrojtësit e familjarëve, të cilët u pajtuan me akuzën e prokurorit, por kërkuan që gjykata të merr parasysh edhe kompensimin e harxhimeve, por edhe dëmshpërblimin e familjeve që humbën familjarët e tyre  në zjarrin e 8 shtatorit të vitit 2021.
 
Pasi u dëgjuan fjalët përfundimtare, gjykata vendosi se vendimin për gjykimin e të akuzuarve do ta shpallë më 5 qershor në orën 12.
 
Si pasojë e zjarrit në spitalin modular të Tetovës humbën jetën 14 persona. Menjëherë pas zjarrit pati ekspertizë nga ekspertët gjermanë, të cilët konkluduan se zjarri ka filluar nga kablloja vazhdues ku ka qenë i kyçur një celular dhe defibrilatori, i cili nga përkeqësimi i gjendjes së një pacienteje, është dashur të përdoret. Në momentin e përdorimit të tij, ka shpërthyer zjarri.  Për zjarrin në Spitalin modular në Tetovë të akuzuar janë ish-drejtorët, Florin Besimi, Artan Etemi, të cilët ngarkohen për vepër penale "Vepra  të rënda  kundër sigurisë së përgjithshme", kurse mjeku Boban Vuçevski, për “Mosveprim sipas rregullave shëndetësore gjatë epidemisë". Ndërsa, Spitali klinik i Tetovës, si person juridik ngarkohet për dy vepra, së pari për “Shkaktim  të rrezikut publik" dhe "Mosveprim sipas rregullave shëndetësore gjatë epidemisë”.
 
VISAR SADIKU