Zhvilllimet në Veri të Kosovës, policia: Situatë e qetë, por e brishtë
Situata në komunat veriore...

Situata në komunat veriore po vlerësohet të jetë e qetë, por e brishtë, deri në këto momente.
Kështu ka konfirmuar Policia e Kosovës, të cilët thonë se ditën e hënë në tri komunat veriore, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan grupe kriminale kanë shfaqur dhunë ekstreme, Policia e Kosovës, sipas detyrës zyrtare, po vazhdon me angazhime në ofrimin e sigurisë dhe mbarëvajtjen e protestave, si dhe po koordinon aktivitetet me KFOR-in dhe institucionet relevante.
Policia shton tutje, se protestat në tri komunat në veri të vendit Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan po vazhdojnë edhe sot pranë objekteve komunale, situata aktualisht vlerësohet të jetë e brishtë, por e qetë.
Njësitet policore janë duke ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore lidhur me rastet dhe zhvillimet e djeshme.Tensione në veri ka pasur që nga dita e premte, serbët janë duke kundërshtuar kryetarët e rinj shqiptarë të vazhdojnë punën në objektet komunale.
Ata kanë sulmuar ushtarët e KFOR-it, si dhe mediat duke ua djegur veturat. Nga zhvillimet e së hënës mbetën të plagosur 30 ushtarë të KFOR-it.
Kurti për zhvillimet në Veri: Në demokraci nuk ka vend për dhunë fashiste
Për situatën në veri, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka biseduar me të dërguarin e posaçëm të Britanisë së Madhe për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach.
“Fola me Lordin Stuart Peach për sulmet e egra ndaj Policisë, KFOR-it dhe gazetarëve. Në një demokraci nuk ka vend për dhunë fashiste Qytetarët e të gjitha etnive kanë të drejtë në shërbim të plotë dhe të papenguar të zyrtarëve të tyre të zgjedhur”, ka thënë Kurti.
Misioni i EULEX-it ka bërë thirrje që në veri të Kosovës të rivendoset urgjentisht paqja. EULEX-i ka deklaruar se do të vazhdojë punën me “vendosmëri për të mbështetur stabilitetin e Kosovës”, si dhe për sigurinë e të gjitha komuniteteve në Kosovë përmes patrullave të shtuara dhe në “bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe KFOR-in”.
Që nga e premtja serbët në veri janë duke protestuar para objekteve komunale në Leposaviq, Zubin-Potok e Zveçan, duke kundërshtuar që kryetarët e rinj të ushtrojnë detyrën nga objektet komunale
