Mungoi historia, Miami megjithatë në finalen e madhe të NBA
Miami Heat është kampion i Konferencës Lindore në NBA...
Miami Heat është kampion i Konferencës Lindore në NBA, pasi mbrëmë ka festuar ndaj Bostonit me 103-84, në ndeshjen e shtatë të serisë finale dhe në finalen e madhe do të takohet me Denver Nugets.
Rreth 20,000 spektatorë në TD Garden prisnin të shohin momente historike, që Celtics të fitonte dhe të bëhej skuadra e parë në NBA që triumfon në një seri play-off pas negativës 0-3, por ndodhi një histori tjetër.
Miami kaloi në finalen e madhe, pavarësisht se hyri në play-off si ekipi i tetë i renditur në Lindje, duke e bërë skuadra e parë në shekullin e 21-të dhe vetëm e dyta pas New York Knicks në vitin 1999, që plasohet në finale nga pozita e tetë në sezonin e rregullt.
Epilogu i ndeshjes u bë i ditur nga dëmtimi i Jason Tatum në aksionin e parë, kur ndrydhi kyçin e këmbës. Ai qëndroi në parket deri në fund, por lëndimi u ndje dukshëm. Majami e fitoi çerekun e parë me plus shtatë, ndërsa në të dytin tashmë kishte plus 17 (38-21).
Bostoni e shkurtoi sërish diferencën në shtatë në periodën e tretë, por vetëm për një moment, pasi epërsia e mysafirëve u kthye në dyshifrore. Jimmy Butler, i cili ishte më efikasi në takim, me 28 pikë, mori çmimin “Larry Bird”, pra MVP i finaleve në Konferencën Lindore.
Ndihmë të madhe pati edhe nga Caleb Martin, i cili regjistroi 26 pikë dhe 10 kërcime. Për Bostonin më efikasi ishte Jalen Brown me 19 poena, ndërsa i dëmtuari Tatum kishte 14 pikë e 11 kërcime. Finalja Denver-Miami do të fillojë të enjten në mbrëmje në Kolorado, që do të thotë se Denveri do të ketë avantazhin e një ndeshje më tepër në shtëpi.