Voska Sport ndahet me trajnerin Berat Imerin

30.05.2023 13:33

Edhe përkundër arritjes të suksesit historik....

Edhe përkundër arritjes të suksesit historik nën drejtimin e tij, Voska Sport në sezonin debutues në Ligën e Parë të Maqedonisë së Veriut nuk do të drejtohet nga trajneri Berat Imeri. Palët nuk kanë arritur marrëveshje për të rinovuar kontratën dhe zyrtarisht kanë ndarë rrugët. E gjithë kjo është bërë e ditur sot në faqen zyrtare të klubit në facebook.

“F.C Voska Sport njofton se Berat Imeri nuk do të jetë më shef i stafit teknik. Pas bisedimeve disa ditëshe, nuk arritëm të gjejmë gjuhë të përbashkët, ashtu që vendosëm të ndajmë rrugët.  Me këtë rast, FC Voska Sport falënderon trajnerin Berat Imeri për kontributin e dhënë gjatë periudhës përderisa e drejtoi skuadrën tonë, duke i dëshiruar fillimisht shëndet dhe shumë suksese në karrierën e tij si trajner. Besojmë se rrugët tona një ditë mund të bashkohen sërish. Kujtojmë me Imerin në krye arritëm suksesin më të madh në histori, duke u inkuadruar në Ligën e Parë, aty ku do vazhdojmë me trajner të ri, për të cilin do ju informojmë ditëve në vijim” thuhet në komunikatën zyrtare të klubit”.

Voska Sport me Berat Imerin arritën të shkruajnë historinë, duke u inkuadruar për herë të parë në elitën vendore. Berat Imeri ekipin e Voska Sport e drejtoi në 30 ndeshje në Ligën e Dytë, duke regjistruar 23 fitore, 6 barazime dhe vetëm 1 disfatë.