Maqedoni

Ndryshimet kushtetuese, Grupi i punës shqyrton aspektin teknik të iniciativës

30.05.2023 14:32

Ndryshimet kushtetuese, të cilat nënkuptojnë përfshirjen e bullgarëve në preambulë dhe pjesë të popujve të tjerë...

Ndryshimet kushtetuese, të cilat nënkuptojnë përfshirjen e bullgarëve në preambulë dhe pjesë të popujve të tjerë janë duke marrë trajtën përfundimtare nga grupi i punës në Ministrinë e Drejtësisë. Grupi i punës është duke i përfunduar korrigjimet teknike të iniciativës dhe të njëjtin pritet ta përkthejnë në gjuhën shqipe. Me të përfunduar, pritet që dokumenti t’i drejtohet ekzekutivit dhe më pas Kuvendit. Nga qeveria nuk bëjnë me dije datën e mbajtjes së seancës, në të cilën do të shqyrtohen ndryshimet kushtetuese, por thonë se mbledhja do të caktohet sapo të kenë në duar iniciativën.
 
Takimi Kovaçevski – Mickoski, LSDM: Mickoski të përpilojë qëndrim konkret
 
Ndryshimet kushtetuese do të jenë temë diskutimi edhe në takimin Kovaçevski Mickoski, të iniciuar nga kryeministri. As për këtë takim nuk është caktuar datë. Nga LSDM pyetën VMRO-në se a kanë përpiluar qëndrim të cilin do ta shpalosnin në këtë takim.
 
“Koha është që në parlament të jepet vota për në Evropë dhe vazhdimin e këtij rrugëtimi me qëllim anëtarësimin e plotë. Mickoski në vend që të heshtë me ditë të tëra, do të duhet të dalë para opinionit dhe të thotë se çfarë ka vendosur: a do t’i bashkëngjitet bllokut proevropian ose do të mbetet peng i së Majtës. Në takim liderësh shkohet me qëndrim.”, - deklaroi deputeti i LSDM-së, Martin Kostovski. 
 
VMRO: Gjithmonë zgjedhim populli
 
Nga VMRO – DPMNE thonë se kanë zgjedhur popullin, ndërkaq frikën dhe të Majtën ia lënë LSDM-së. 
 
“VMRO ofroi ndihmë që të mos pranohen diktatet në dëm të Maqedonisë. Për dallim nga të tjerët VMRO – DPMNE ka parasysh vetëm interesin e popullit.”, thonë nga VMRO – DPMNE në një komunikatë për media.
 
Më 26 maj, grupi i punës miratoi propozim iniciativën për ndryshimet kushtetuese, sipas së cilës, përpos bullgarëve në preambulën e Kushtetutës do të përfshihen edhe populli kroat, malazez, slloven, hebre dhe egjiptas.
 
MERAL ISMAILI