Maqedoni
Takimi Kovaçevski – Lajçak: Të kthehet paqja, stabiliteti në Kosovë
30.05.2023 15:13
Kryeministri Dimitar Kovaçevski, ka takuar në Bratisllavë përfaqësuesin special të Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor...

Kryeministri Dimitar Kovaçevski, ka takuar në Bratisllavë përfaqësuesin special të Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor, Miroslav Lajçak, në kuadër të Forumit Global të Sigurisë “GLOBSEC 2023”.
Dy bashkëbiseduesit theksuan se në vend është i nevojshëm dialogu politik dhe se të gjithë aktorët shoqërorë, politikë, joqeveritare, civile në vend duhet të arrijnë një konsensus që të mos pengohet procesi për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE. Kryeministri Dimitar Kovaçevski dhe përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor, Miroslav Lajçak, nga Bratisllava, gjithashtu kanë bërë thirrje për deeskalim të menjëhershëm të situatës në Kosovë dhe kthimin e paqes dhe stabilitetit. Kovaçevski përsëriti se Maqedonia e Veriut mbështet vazhdimin e bashkëpunimit dhe koordinimit me NATO-n dhe BE-në në rajon në drejtim të konsolidimit të stabilitetit dhe përshpejtimit të integrimeve euroatlantike të Ballkanit Perëndimor.
Anëtarësimi i shpejtë i vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE do të parandalonte pikat e ndjeshme në rajon të prishnin sigurinë dhe stabilitetin, duke penguar kështu zhvillimin ekonomik të rajonit. Kryeministri Kovaçevski, theksoi përkushtimin e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut për të kontribuar në avancimin e rajonit si dhe për paqen dhe stabilitetin e tij.
“Kryeministri theksoi se vendi ynë ka një vendosmëri të fuqishme për forcimin dhe avancimin e marrëdhënieve të mira ndërfqinjësore dhe përmes dialogut dhe bashkëpunimit ndërmjet shteteve është etabluar si vend që është faktor i stabilitetit në rajon.”, njoftuan nga zyra e Kovaçevskit.
FLUTURA LATIFI
