Maqedoni

Ndryshimet kushtetuese, Xhaferi: Pas propozimit nisim procedurën

30.05.2023 15:30

Prej katër deri në gjashtë muaj mund të zgjasë procesi i miratimit të amendamenteve kushtetuese...

Prej katër deri në gjashtë muaj mund të zgjasë procesi i miratimit të amendamenteve kushtetuese, pohoi kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, në takim me gazetarët. Kryetari i Kuvendit po ashtu pohoi se nuk ka asnjë pengesë ligjore që të fillojë diskutimi për amendamentet kushtetuese, edhe pse nuk është siguruar dy të tretat e mbështetjes për amendamentet kushtetuese. Xhaferi megjithatë nuk precizoi se kur mund të vijë në Kuvend iniciativa për ndryshime kushtetuese, që është e iniciuar nga Qeveria. Sipas tij, afatet për këtë procedurë janë të rrepta, dhe saktësisht parashohin se cilat faza nga sa kohë duhet të marrin, por edhe atë se nga sa minuta do të mund të diskutojë secili deputet kur të diskutohet në Kuvend nisma për ndryshime kushtetuese. 
 
“Unë mendoj se mund të fillojë procedura për përcaktimin e nevojës për ndryshim të Kushtetutës dhe në tridhjetë ditët e ardhshme, deri në votim, të punohet në sigurimin e shumicës për ndryshimet, dialogu politik duhet të vazhdojë. Konsensusi është i pashmangshëm në këtë procedurë, sepse për të miratuar nevojën e ndryshimeve kushtetuese nevojiten dy të tretat e votave të deputetëve ose më mirë të votojnë 80 deputetë. Pa të nuk do të kalojë. Partitë opozitare asgjë nuk i pengon që të nisin procedurën për votim mosbesimi ndaj Qeverisë, nëse e ndjejnë të nevojshme.”, - deklaroi kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi. 
 
Kërkesa për ndryshimet kushtetuese nuk është iniciativë personale apo e Qeverisë, por iniciativë për ardhmërinë e vendit, tha Xhaferi. Sipas tij, vonesat e tilla janë plotësisht të panevojshme, i kushtojnë vendit.
 
“Në vitin 2008, vonimi i pranimit në NATO na kushtoi dhjetë vjet. Dhe nuk jam i sigurt se në fund kemi një zgjidhje më të mirë. Zgjidhja e radhës për fillimin e negociatave me BE-në do të jetë edhe më e vështirë dhe këto gjëra janë të qarta. Kjo gjeneratë e politikanëve duhet të marrë përgjegjësi për gjeneratat e ardhshme, në mënyrë që ne të jemi, aty ku e kemi vendin.”, - theksoi kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi. 
 
Sipas Xhaferit, do të jenë së paku dy pika të amendamenteve kushtetuese, ku përveç shumicës prej dy të tretash do të duhet të votohet edhe me shumicën e badenterit. Kjo do të thotë se nga 80 deputetë që do të thonë “për” ndryshimet kushtetuese, 21 duhet të jenë nga bashkësitë tjera etnike.
 
FITIM KRYEZIU