Maqedoni
Forumi energjetik “MEF 2023”: Tranzicioni i energjisë, kyç për problemet klimatike
30.05.2023 15:50
Tranzicioni i energjisë është një mjet kyç në trajtimin e problemeve klimatike, por ai duhet të jetë gjithëpërfshirës....

Tranzicioni i energjisë është një mjet kyç në trajtimin e problemeve klimatike, por ai duhet të jetë gjithëpërfshirës. Veprimi urgjent është i nevojshëm për diversifikimin e burimeve energjetike dhe zhvillimi i tregjeve u tha në hapjen e Forumit Energjetik “MEF 2023”. Vendi ynë është lider në rajon me ligjet dhe aktet nënligjore të miratuara dhe tashmë të zbatuara që janë plotësisht në përputhje me Komunitetin Evropian të Energjisë, tha zëvendëskryeministri, Fatmir Bytyqi.
“Nëse marrim parasysh se sektori i energjetikës krijon 10-15% të BPV-së në ekonominë tonë, atëherë është e qartë se zgjedhjet që bëjmë sot në sektorin e energjetikës do të kenë një ndikim të madh në të ardhmen. Duke harmonizuar politikat energjetike, teknologjitë moderne të energjisë dhe mobilizimin e financave, ne hapim rrugën për një të ardhme të qëndrueshme dhe të begatë energjetike që zbut ndryshimet klimatike.”, - deklaroi zëvendëskryeministri për çështje ekonomike, Fatmir Bytyqi.
Ambasadorja amerikane në vend, Angela Aggeler theksoi se kriza energjetike e shkaktuar nga agresioni rus në Ukrainë tregoi se sa e rëndësishme është pavarësia energjetike.
“Unë u bëj thirrje të gjithëve që të veprojnë urgjentisht për të diversifikuar burimet e energjisë, ShBA po punon për të forcuar qëndrueshmërinë dhe elasticitetin energjetik kudo ne botë.”, - theksoi ambasadorja e ShBA-së në RMV, Angela Aggeler.
Shefi i delegacionit të BE-së në vend, Julian Vasala, dhe i dërguari i Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Martin Vickers, thonë se institucionet e BE-së punojnë për një plan akcional global për transformim dhe pavarësimin energjetik.
“Para luftës 45 për qind e gazit ka ardhur nga Rusia, tani vetëm 15 për qind. Edhe furnizim me qymyr kishim 45 për qind nga Rusia dhe tani kemi 0 import të qymyrit nga Rusia. E rëndësishme është që qeveria të punojë për reforma për transformim energjetik.”, - deklaroi zëvendës shefi i delegacionit të BE-së në Maqedoninë e Veriut, Julian Vassala.
“Më gëzon fakti që Ballkani Perëndimor seriozisht angazhohet për transformimin energjetik. Për të bërë këtë transformim duhen mjete për kompanitë dhe këtë gjë Mbretëria e Bashkuar është e gatshme që të jetë partner me vendet e Ballkanit Perëndimor.”, - theksoi i dërguari i Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Martin Vickers.
Zhvendosja e burimeve energjetike drejt burimeve me erë, ujë dhe diell bën transformim, i cili do të përfshijë edhe krijimin e vendeve të reja të gjelbra dhe shumë produktive të punës, të cilat sipas projeksioneve për vitin 2030 thonë se në këtë sektor do të krijohen 38 milionë vende pune dhe në vitin 2050 ky numër do të rritet në 50 milionë.
GAZMEND REXHEPI
