Ahmeti i shkruan Hahn, e domosdoshme përfshirja e ndërkombëtarëve
Lideri I BDI-së, Ali Ahmeti e vlerëson si tepër shqetësuese situatën e fundit politike në vend. Sipas tij kapacitetet demokratike të sistemit janë vënë në sprovë serioze...

Në një letër drejtuar komisionerit për zgjerim në BE Johanes Hahn, Ahmeti potencon domosdoshmërinë e përfshirjes imediate dhe të drejtpërdrejt e Brukselit, nëpërmjet të delegimit të një ekipi politik të përforcuar nga ekspert të hetuesisë dhe gjyqësorit.
“Ky ekip i deleguar nga Komisioni Evropian dhe Parlamenti Evropian do të siguronte të gjitha palët për një proces të paanshëm, me kredibilitet dhe integritet, që paraqet parakusht për përmbylljen e suksesshme të këtij rasti”, potencon Ahmeti në letrën e tij.
Ai kërkon nga Brukseli që të kthejë vëmendjen tek nevoja e adresimit sa më të shpejtë të problemit më të madh të Maqedonisë, zgjidhjes së çështjes së emrit, që po mban peng të ardhmën Euro-atlantike të qytetarëve dhe mund të tensionojë edhe marrëdhëniet ndëretnike.
Ky kontest duhet të mbyllet sa më shpejt, por zgjidhja nuk arrihet dot pa përfshirjen intenzive të Brukselit dhe Uashingtonit në ndërmjetësim midis Shkupit dhe Athinës.
“Puna jonë e përbashkët për të arritur paqen dhe për të ndërtuar demokraci të qëndrueshme në vend nuk mund të konsiderohet si e përfunduar dhe e rumbullaksuar pa integrimin e Maqedonisë në NATO dhe hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian” - shkruan lideri i BDI-së në letrën e tij duke siguruar komisionerin Hahn se tek BDI do të gjejë gjithnjë partnerin serioz. (Meral Ismaili, TVM2)
