Lufta në Ukrainë, 4 të vdekur, 16 të plagosur në Luhansk

31.05.2023 10:48

Katër persona u vranë dhe 16 të tjerë u plagosën...

Katër persona u vranë dhe 16 të tjerë u plagosën si pasojë e bombardimeve nga forcat e armatosura ukrainase kundër fshatit Karpaty në rajonin e Luhanskut, thanë autoritetet pro-ruse.

Qendra koordinuese e autoriteteve pro-ruse sqaroi se është goditur një objekt ku rriten shpendët.

Pothuajse i gjithë rajoni i Luhanskut kontrollohet nga ushtria ruse ose milicitë pro-ruse. Deri më tani nuk ka pasur asnjë reagim nga Kievi.

Autoritetet ukrainase rrallë marrin përgjegjësinë për sulmet në territorin e mbajtur nga forcat ruse ose në tokën e Rusisë.

Të dyja palët mohojnë se kanë shënjestruar qëllimisht civilët në konfliktin e armatosur që shpërtheu kur ushtria ruse pushtoi territorin ukrainas më shumë se pesëmbëdhjetë muaj më parë.