Veriu i Kosovës, protestuesit mbajnë flamur serb në Zveçan

31.05.2023 12:23

Serbët lokalë edhe sot janë mbledhur në tri komunat në veri...

Serbët lokalë edhe sot janë mbledhur në tri komunat në veri, në Zveçan, Zubin Potok e Leposaviq, për të vazhduar protestën.

Ish-kryetari i Kuvendit Komunal të Zveçanit, Sërgjan Millosavleviq ka thënë para protestuesve se kërkesat e tyre mbeten të njëjta. Ata po kërkojnë largimin e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës nga veriu si dhe të kryetarëve të rinj shqiptarë.

“Kërkesat janë të njëjta, të tërhiqet policia, të mos vinë kryetarët e rinj dhe të lirohen dy protestuesit e arrestuar të hënën në Zveçan”, tha Millosavleviq.

Misioni i NATO-s, KFOR, ka ngritur tela gjemborë përreth objektit të komunës. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka mbërritur në Forumin e Bratislavës.

Kjo është bërë e ditur në një postim të bërë nga faqja zyrtare e “Globsec”, ku thuhet se në qendër të vëmendjes do të jetë: Ardhmëria e Kosovës.

Lajçak përpiqet për takim mes Kurtit dhe Vuçiqit, takimi do të mbahej në Forumin e Bratisllavës

I dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, është duke bërë përpjekje që të organizojë një takim “ad hoc” mes liderëve të Kosovës dhe Serbisë.

Takimi mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, po përpiqet të organizohet në Bratislavë të Sllovakisë.

Sipas burimeve të REl-it, “kjo është një ide dhe një përpjekje” dhe se “ende nuk ka konfirmime nga palët se a janë të gatshme për një takim të tillë”.

Kryeqyteti sllovak është përmendur si vend i mundshëm ku do të mund të takoheshin të dy bartësit e dialogut, për shkak se që të dy janë ftuar të marrin pjesë në konferencën për siguri globale, Globsec, që po zhvillohet në Sllovaki.