Maqedoni
Pendarovski: Shtetet e vogla fuqizohen me kyçje në organizatat ndërkombëtare
31.05.2023 13:28
Shtetet gjeografikisht të vogla, me një numër të vogël të popullsisë, është iluzion që të mund të kenë ndikim në politikën globale...

Shtetet gjeografikisht të vogla, me një numër të vogël të popullsisë, është iluzion që të mund të kenë ndikim në politikën globale, por këto vende mund të luajnë një rol të rëndësishëm me kyçjen e tyre në organizata ndërkombëtare. Kështu theksoi në forumin energjetik presidenti i shtetit, Stevo Pendarovski, i cili në këtë kontekst përmendi anëtarësimin e vendit në NATO dhe rëndësinë e fillimit të bisedimeve për anëtarësim në BE.
“Për RMV-në është mirë që u bë pjesë e NATO-së, shumë është e rëndësishme që kemi filluar bisedimet për anëtarësim në BE, sepse kemi mundësi si vend të thithim mjete nga BE edhe para se të bëhemi anëtare e plotfuqishme. Ne jemi shtet që varemi nga importi i energjisë elektrike dhe pa ndihmën e shteteve të BE-së vështirë se vet mund t’ia dalim. Por, fajtori kryesor i prishjes së rendit në Glob ka qenë invazioni rus mbi Ukrainën. Prandaj, nëse duam të krijojmë një sistem të ri energjetik, ne duhet kapacitetet tona prodhuese t’i rrisim dhe të investojmë më shumë, sepse kemi kapacitete të vjetruara.”, - deklaroi presidenti i RMV-së, Stevo Pendarovski.
Mesiq: Ballkani duhet të jetë më i rëndësishëm për BE-në
Lidhshmëria në mes energjetikës dhe strategjisë globale është shumë ngushtë e lidhur, pohoi mes të tjerash ish-presidenti i Kroacisë, Stipe Mesiç. Sipas tij Evropa është mirë që po dëshiron të krijojë një pavarësi nga gazi rus, por kjo ka ndikuar në rritjen e çmimeve. Mesiq njëherit thekson se Ballkani Perëndimor duhet të jetë më i rëndësishëm për Brukselin sesa regjioni i Pacifikut dhe i Azisë.
“Po sillen vendime të rënda dhe anëtaret e BE-së po përgatiten për një kohë të re. RMV ka kohë që është dashur të jetë pjesë e BE-së dhe prandaj prej këtu po i bëj thirrje kryetares së Komisionit Evropian që të bëjnë gjithçka që është e mundur, me qëllim që RMV dhe Ballkani Perëndimor të bëhet pjesë e BE-së, sepse këtë e pamë me rastin e Ukrainës se rruga deri në anëtarësim duhet të jetë shumë më i shpejtë. Vendet e Ballkanit do të duhet ngushtë të punojnë mes tyre, për një të ardhme më të mirë.”, - theksoi ish-presidenti i Kroacisë, Stipe Mesiq.
Edhe presidenti Pendarovski vlerësoi se BE-ja do të duhet të sillet kundrejt Maqedonisë së Veriut sikur të ishte vend anëtar, sepse qasja aktuale e BE-së ka ndikuar që besimi i qytetarëve në vend për anëtarësim të vendit të bie dukshëm.
FITIM KRYEZIU
