Maqedoni

Ndryshimet ligjore për burimet minerale, VMRO: Zonë e errët me mundësi kontrabandimi

31.05.2023 14:14

Ligji për burime minerale në kuadër të pakos së ligjeve të korridoreve 8 dhe 10-D përplasi opozitën me shumicën parlamentare....

Ligji për burime minerale në kuadër të pakos së ligjeve të korridoreve 8 dhe 10-D përplasi opozitën me shumicën parlamentare. Me një intensitet më të ulët kësaj radhe, opozita akuzoi për kriminalitet dhe kontrabandim me burimet minerale, të cilat nuk dihet se ku do të gërmohen, për çfarë afati duke rrezikuar edhe mbetjet eventuale arkeologjike.
 
“Qeveria, investitori dhe kryerësi i punimeve mund të gërmojnë ku të duan dhe sa të duan në shtet pa kufizime. Kjo arrin anarkinë. Në një nga nenet lihet hapësirë që pasi të mbarohet seksioni rrugor, investitori dhe realizuesi plus tre muaj të mund të shfrytëzojnë burimet minerale. Kjo do të thotë që në rrugën e ndërtuar, dikush do të gërmojë për gjashtë muaj burime minerale, lehtësisht t’i shes dhe të realizojë profite të mëdha.”, - deklaroi deputeti i VMRO-DPMNE-së, Zdravko Trajanov. 
 
BDI: Ndryshimet janë minimale, të dobishme
 
Nga BDI konsiderojnë se ndryshimet ligjore janë minimale në dobi të projekteve kapitale.
 
“Shtohet afati i shfrytëzimit të mineraleve, pas ndërtimit të autostradës nga tre muaj shtohet në gjashtë muaj, nuk është kushedi se çfarë ndryshimi kolosal. Ne e dimë se kemi të bëjmë me ndërtime 110 kilometra autostradë Tetovë - Gorstivar - Bukojçan dhe Trebenisht – Strugë - Qafëthanë dhe korridoret 10-D Prilep – Manastir, ku 110 kilometra me të vërtetë pas ndërtimit ka nevojë për mirëmbajtje dhe afati shtohet nga tre muaj në gjashtë muaj.”, - theksoi deputeti i BDI-së, Bedri Fazliu. 
 
Ndryshimi ligjor për shfrytëzimin e burimeve minerale, për të cilin u shter debati, bashkë me ligjet e tjera për ndërtimin e autostradave pas përmbylljes së shqyrtimit të dytë presin miratimin në pako në një seancë tjetër. Ligjet po shqyrtohen në procedurë të përshpejtuar me flamurin evropian, me arsyetimin se janë interes strategjik i vendit me përmasa evropiane.

MERAL ISMAILI