Liga e Europës, një traditë do të prishet në finalen e Budapestit

31.05.2023 14:50

Skuadra e Seviljës dhe ajo e Romës....

Skuadra e Seviljës dhe ajo e Romës, sonte në stadiumin "Pushkash arena"  të Budapestit do të përballen në kuadër të finales së Ligës Evropës. Kjo finale do të prishë një traditë. Sevilla si skuadër  dhe Mourinho si trajner, nuk e kanë humbur asnjë finale evropiane deri më tani, duke e bërë finalen e këtij edicioni njërën prej më interesanteve në historinë e Ligës së Evropës.

“Është një ndeshje në të cilën të dyja ekipet  kemi arritur në finale me meritë. Në mënyra të ndryshme, por e merituar dhe jam i sigurt se do të jetë e vështirë për të dyja skuadrat që të fitojnë kupën.” – tha trajneri i Seviljës, Jose Luis Mendilibar.

Mourinho ka bilanc 5:0 në finalet e kupave evropiane në nivel klubesh në karrierën si trajner, ndërsa trofeun e parë e ka fituar në vitin 2003. Portugezi Mourinho vitin e shkuar u bë trajneri i parë që ka fituar trofe në të gjitha garat e UEFA-s.

“Shikoni, realiteti është ky dhe se shpresoj që tifozët e Tottenham të mos më keqkuptojnë. Por i vetmi klub në karrierën time për të cilin nuk kam ende një ndjenjë të thellë është Tottenham. Nuk më intereson të bëhem trajneri i parë që e kam fituar këtë garë me tri ekipe të ndryshme. Unë thjesht dua që këtë sukses ta shijojnë tifozët e Romës, pasi në këtë moment të karrierës time mendoj vetëm për lumturinë që mund t’ua jap atyre.” – u shpreh trajneri i Romës, Jose Mourinho.

Sevilja prej vitit 2014 deri në vitin 2020, ka triumfuar në katër finalet e Ligës së Evropës. Përderisa skuadra e Romës nuk ka triumfuar asnjëherë në Ligën Evropiane. Ishte nën kampione në vitin 1991. Fituesi i kësaj përballje në sezonin e ardhshëm do të luajë në  Ligën e Kampionëve.