Kurti: Nuk do të dorëzohet Republika Demokratike
Fillimisht duhet të tërhiqen huliganët nga rrugët...

Fillimisht duhet të tërhiqen huliganët nga rrugët e pastaj të ulet numri i policisë së pranishme në veri të Kosovës dhe në të njëjtën kohë të avancohet me implementimin e marrëveshjes së dakorduar në Bruksel e të nënshkruar në Ohër. Kjo ka qenë oferta e kryeministrit Kurti nga forumi “Globesc” në Bratisllavë, ku ka takuar edhe përfaqësuesin e lartë të BE-së për politikë të jashtme e siguri, Josep Borrell dhe emisarin për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
“Po punojmë shumë të gjejmë rrugëdaljen. S’duhet të jetë hekurudhë e lakuar, por me dy traka. E para të dilet nga kriza me sundim të ligjit, huliganët në Serbi ose në burg në Kosovë, e më pas ulja e numrit të policisë dhe normalizim të situatës dhe implementimi i shpejtë, i plotë, pa shtyrje e pa kushte i marrëveshjes së Brukselit.”, - deklaroi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Kurti përsëriti qëndrimin se nuk do të dorëzohet Republika Demokratike në duart e këtyre fashistëve, që e ka theksuar edhe në bisedën me Borrell dhe Lajçak.
“Unë u thash atyre, se po të kishte protestë paqësore, për zgjedhje të parakohshme, do ta kishin mirëkuptimin tim. Por, jo me turma që shkruajnë grafite me shkronjën “Z”, që hedhin ndaj ushtarëve granata e brohorasin ‘vrite, vrite’”. Nëse duan protestë paqësore, me kërkesë për zgjedhje të parakohshme, atëherë e kanë kryeministrin e tyre që tërë jetën ka qenë aktivist politik dhe shumë është i gatshëm që t’i dëgjojë, e ndoshta edhe të pajtohet me ta.”, - theksoi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Ai, po ashtu ka thënë se nuk mund t’i urdhërojë kryetarët e rinj shqiptarë të komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës të kalojnë në zyra të tjera, jashtë objekteve komunale.
Njëherit Kurti tha se misioni i NATO-s është i pazëvendësueshëm për sigurinë dhe mbrojtjen e shtetit të Kosovës dhe se ka koordinim e komunikim me NATO-n, por kjo sipas tij, nuk do të thotë se pajtohen me çdo gjë.
Ai u shpreh i brengosur për masat që ka ndërmarrë ShBA-ja kundër Kosovës për shkak të situatës në veri të vendit, por “asnjëherë i frikësuar”.
Paraprakisht sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken, i bëri thirrje edhe Kosovës, edhe Serbisë që t’i kthehen dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, për normalizimin e marrëdhënieve.
Ai përsëriti se vendimi i Qeverisë së Kosovës për t’i instaluar me forcë kryetarët e rinj në komunat me shumicë serbe në veri, i përshkallëzoi tensionet “në mënyrë të mprehtë dhe të panevojshme”.
Qëndrim të ngjashëm kanë mbajtur edhe zyrtarët e BE-së dhe presidenti francez, Makron.
Borrell: Situata aktuale në Kosovë, e rrezikshme
Shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell duke njoftuar për takimin me Kurtin në një postim në Twitter, ka shkruar se situata aktuale është e rrezikshme dhe e paqëndrueshme.
“Takova kryeministrin Albin Kurti në Bratisllavë për të diskutuar tensionet në veri të Kosovës. Situata aktuale është e rrezikshme dhe e paqëndrueshme. Ne kemi nevojë për de-përshkallëzimin urgjent dhe një zgjidhje përmes dialogut për t'iu rikthyer punës sonë për zbatimin e marrëveshjes së arritur.”, ka shkruar Borrell në Twitter.
I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, do të udhëtojë për në Kishinjev të Moldavisë, ku do të takohet me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për të diskutuar rreth situatës në veri të Kosovës.
Ndërkohë Policia e Kosovës, ka njoftuar se në bashkëpunim me KFOR-in dhe institucionet relevante, po vazhdon me angazhimet në zbatimin e rendit dhe sigurisë publike, ofrimin e sigurisë ndaj qytetarëve në veri të Kosovës ku vazhdojnë protestat.
Ndërsa, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka bërë të ditur se kanë vazhduar sulmet ndaj ekipeve të gazetarëve. Brenda dy ditësh janë kryer 16 sulme në drejtim të mediave. (Gyltene Sinani, TVM2)
