Maqedoni
Forumi “Globsec” Në Bratisllavë, Kovaçevski: Mbaruam detyrat, NATO-ja na shpërbleu, BE-ja, jo
31.05.2023 15:27
Maqedonia e Veriut ka marrë vendime jo të lehta dhe ka plotësuar shumë kushte në mënyrë që t’i bashkohet strukturave euro-atlantike...

Maqedonia e Veriut ka marrë vendime jo të lehta dhe ka plotësuar shumë kushte në mënyrë që t’i bashkohet strukturave euro-atlantike, por në këmbim është shpërblyer vetëm nga NATO-ja e jo edhe nga Bashkimi Evropian, kritikoi zëshëm në forumin e sigurisë në Bratisllavë, kryeministri Dimitar Kovaçevski. Sipas tij, rruga për progres për Ballkanin Perëndimor është anëtarësimi në familjen evropiane, i cili njëherit ka theksuar nevojën e shtimit të rolit të BE-së për prosperitetin ekonomik të Ballkanit Perëndimor dhe gjetjen e rrugëve për partneritete ndërkombëtare.
“Nuk ka shtet tjetër që është dashur të miratojë vendime shumë të vështira dhe më të mundimshme se ne, RMV-ja ndryshoi emrin për t’u bërë anëtare e NATO-s dhe BE-së. Kur mbaruam me referendumin dhe në parlament u votua, NATO-ja veproi, ndërsa BE-ja jo. Këto janë fakte, sepse aty menduan ndonjë lloj veto për shkak të sundimit të së drejtës dhe disa çështjeve të tjera.”, - deklaroi kryeministri, Dimitar Kovaçevski.
Rama: BE nuk na përkrahë realisht, s’kemi fakte
Për kryeministrin Edi Rama pritjet pa afat të caktuar për përkrahje reale zgjerojnë hendekun. Ai sugjeron BE-në të zbatojë formë tjetër të mbështetjes, i cili do të rezultonte me fakte reale. Kërkon gjithashtu rrugë të re për financim nga BE-ja, rritjen e granteve evropiane dhe uljen e huave. Për Ramën, Shqipëria i ka përmbushur kushtet që i kërkon Komisioni Evropian.
“Ishte fatkeqe që BE-së duhej t’i ndodhte lufta në mënyrë që ajo të zgjohet. Ne në Ballkanin Perëndimor përmes dhimbjes dhe frustracionit kuptuam se BE-ja lëvizte shumë ngadalë dhe kuptuam se nuk kishte vizion strategjik, edhe pse ngrihej shqetësim gjeopolitik lidhur me aktorët e tretë, por asgjë konkrete s’është bërë.”, - deklaroi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Forumi: “Rrugët e Hapura: Ballkanasit sërish në lojë” ka mundësuar bisedime bilaterale mes përfaqësuesve të vendeve ballkanike me ato ndërkombëtare. Eurointegrimi i vendit në fokus edhe në takimin e kryeministrit Kovaçevski me presidentin francez, Emanuel Makron. Me përfaqësuesin special të BE-së për dialogun Prishtinë-Beograd, Mirosllav Lajçak, Kovaçevski ka bërë thirrje për uljen e tensioneve në veri të Kosovës. Për ulje tensionesh ka apeluar edhe kryeministri Rama, i cili sa i përket vendosjes së ushtrisë serbe në kufi me Kosovën ka thënë se fuqia e ushtrisë serbe në kufi të Republikës së Kosovës është zero. Është njësoj si ushtria meksikane të shfaqej në kufirin me ShBA-në, vlerëson Rama.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
