Maqedoni

Blegtorët dhe bletarët: Mali Sharr, Park Nacional në interesin tonë

31.05.2023 16:16

Në Malin Sharr janë rritur turistët pas shpalljes Park Kombëtar, por ende duhet të investohet në hapjen e rrugëve të reja...

Në Malin Sharr janë rritur turistët pas shpalljes Park Kombëtar, por ende duhet të investohet në hapjen e rrugëve të reja dhe mirëmbajtjen e rrugëve ekzistuese, thonë blegtorët. Sipas tyre, atyre u lejohet që bagëtitë e tyre t’i shfrytëzojnë të gjitha kullotat e Sharrit dhe të ndërtojnë stane me gurë e balte, por duan që t’u lejohet edhe prerja e masës drurore për nevojat e tyre. 
 
“Kërkesat tona deri tek Parku Kombëtar janë të na sigurojnë infrastrukturë rrugore, ato ekzistuese të mirëmbahen, t’u lejohet staneve të furnizohen me drunj për djegie. Kërkesat janë të shumta dhe cilat janë më të nevojshme që blegtorinë  ta shndërrojmë edhe në turizëm. Stanet tona t’i shndërrojmë në bujtina për turizëm, që të tërheqim më shumë turist. Blegtorët kanë qasje në të gjitha zonat, të mbrojtura dhe rreptësisht të mbrojtura.”, - u shpreh blegtori i “1 Majit”, Naser Xhemaili. 
 
Ndërsa, bletarët thonë  se shpallja e Malit Sharr Park Kombëtar e ka shpëtuar këtë biznes pasi janë ndaluar prerjen e gështenjave, bagremit dhe blinit të cilat para shpalljes ishin prerë gati 50%.
 
“Ne si bletar i mbështesim politikat strategjike të udhëheqësisë së Parkut Nacional, për arsye se 20-30 vitet e fundit janë prerë masivisht drunjtë e gështenjës, bagremit dhe lipës, gati se 50%. Ndërkohë, që me rregullat e reja dhe politikat strategjike të Parkut Kombëtar në krye me drejtorin, për mosprerjen e drunjve dhe mbjelljen e të rejave do të jetë një lajm i mirë për të gjithë bletarët.”, - deklaroi kryetari i shoqatës “Qyteti i bletëve”, Dritan Dikena. 
 
Drejtori i PKMSh-së, Ibrahim Dehari, tha se blegtorët dhe bletarët pas shpalljes së MShPK-së kanë përfituar shumë. 
 
“Nuk ka ankesa, ato janë të lumtur, pasi Sharri është shpallur zonë e mbrojtur e kategorisë së dytë, ata nuk humbin asnjë gjë, do të shfrytëzojnë të gjitha kullotat, në të gjitha viset dhe mundësitë tjera zhvillimore do t’u ndihmojmë që ato të kenë qasje deri tek stanet e tyre, me mjetet e tyre motoristike, por ajo do të vlejë vetëm për ata. Kurse, mjetet tjera motoristike drejt staneve të tyre sigurisht do të ndalohen.”, - theksoi drejtori i PKMSh- së, Ibrahim Dehari. 
 
Këto komente u bënë sot pas një takimi që patën me  drejtoreshën e UNEP-it, Inger Andersen, e cila tha se shpallja e Malit Sharr Park Kombëtar ka rritur benifitet dhe  turizmin. 
 
“Me shpalljen e Parkut Kombëtar ka benifite, do të rriten turistët dhe aktivitetet ekonomike duhet të lulëzojnë dhe njerëzit që janë shpërngulur nga fshatrat do të kthejnë bashkë me njerëz të tjerë, pasi pamja është e jashtëzakonshme. Të gjithë duhet të punojmë që ta mbrojmë këtë regjionin, duke biseduar me njerëzit e kësaj pjese. Në këtë pjesë do të ketë më shumë vizitorë dhe me tepër punësime.”, - u shpreh drejtoresha e UNEP-it, Inger Andersen. 
 
Drejtori i Parkut Kombëtar “Mali Sharr”, Ibrahim Dehari, njëherit informoi se janë në fazën e fundit përgatitjet që në gjithë territorin e Parkut Kombëtar do të vendosen tabela informuese për banorët e zonës, por edhe për ata që e vizitojnë Parkun Kombëtar, me qëllim që të jenë në dijeni se çka është e lejuar dhe çka e ndaluar në Parkun Kombëtar “Mali Sharr”.
 
VISAR SADIKU