Serbët vazhdojnë protestën në Veri të Kosovës

01.06.2023 11:34

Serbët protestojnë edhe sot në veri të Kosovës....

Serbët protestojnë edhe sot në veri të Kosovës. Në tre komunat veriore të Kosovës, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, ku serbët po protestojnë për katër ditë kundër prezencës së Policisë së Kosovës dhe kryetarëve shqiptarë të këtyre komunave, nata ka kaluar e qetë. Por sot  Ish-deputetja serbe e Kuvendit të Kosovës, Miljana Nikoliq, raportohet se i është bashkëngjitur protestës që ka nisur mëngjesin e sotëm në Zveçan.

Nikoliq, e cila ishte shprehur e pakënaqur me vendimin e Qeverisë Kurti rreth reciprocitetit me Serbinë, bashkë me deputetët e tjerë të Listës Serbe, kishin dorëzuar mandatet e tyre në Kuvendin e Kosovës.

Kosova dhe Serbia fajësojnë njëra tjetrën për tensionet në Veri

Ndërkohë, Kosova e Serbia e fajësojnë njëra-tjetrën për tensionet në veri.Serbia duhet të ndalojë aktivitetet e saj që synojnë destabilizimin e Kosovës për t’i dhënë fund dhunës në veri të vendit, tha presidentja e Kosovës Vjosa Osmani.

“Sfida vjen nga Serbia, një vend që ende duhet ta pranojë të kaluarën e tij”, tha Osmani për agjencinë e lajmeve Reuters.

“Situata është e tensionuar, por ne duhet të sigurohemi që të rivendosim sundimin e ligjit në Kosovë dhe të kuptojmë se kërcënimi vjen nga mohimi i ekzistencës së Kosovës si shtet sovran nga ana e Serbisë”, tha ajo.

Osmani tha se Serbia po mbështet aktivisht “strukturat ilegale” në Kosovë për të destabilizuar vendin nga brenda.

Autoritetet e Kosovës kanë fajësuar “bandat kriminale serbe”, të dirigjuara nga Beogradi, për tensionet në veriun e vendit, të banuar me shumicë serbe“Presidenti Vuçiq duhet të ndalojë së mbështeturi bandat kriminale nëse ai vërtet dëshiron paqen”, tha ajo.

Ndërkohë Vuçiq e ka hedhur fajin te kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.Ai,  u bëri thirrje autoriteteve të Kosovës që t’i tërheqin, siç i quajti ai, “kryetarët e supozuar” nga komunat me shumicë serbe në veri, për t’i ulur tensionet që kanë shkaktuar dhunë.

Duke folur pas mbërritjes në një samit të Komunitetit Politik Evropian në Moldavi, Vuçiq tha se një hap i tillë do të ishte “lëvizja më e fuqishme” për zgjidhjen e krizës. Në një postim në llogarinë e tij në Instagram, Vuçiq tha se nuk pret takime të lehta me udhëheqësit evropianë në Moldavi.