Çmimet “Oscar”, triumfon “Birdman”, rrëmben 4 statueta
Filmi “Birdman” ka triumfuar në mbrëmjen e ndarjes së Çmimeve “Oscar”, duke marrë plotë 4 statuja të arta...

Filmi i regjisorit, Alejandro Gonzalez Inarritu, fitoi në kategoritë “Filmi më i mirë”, “Regjisori më i mirë”, “Kinematografia më e mirë” dhe “Skenari origjinal më i mirë”. Filmi tregon historinë e një aktori dikur të famshëm për interpretimin e një superheroi, i cili tashmë shpreson të rikthehet në maja, duke vënë në jetë një pjesë teatrore në Broadway.
"Është e vështirë kur ndjeheni i mposhtur. Sistemi i besimit është ngujuar te të gjithë ne. Fëmijët tanë janë të fiksuar me konkurrencën”- deklaroi Alejandro Gonzalez Inarritu që mori çmimin “Regjia më e mirë”.
Çmimin e “Aktorit më të mirë” e fitoi Eddie Redmayne për interpretimin e tij në “The Theory of Everything”, ku luan rolin e fizikanit, “Stephen Hauking”.
“Kur e shoh filmin, unë e besoj atë që shoh. Është përgjegjësia jonë të tregojmë histori të besueshme, t’i ndjejmë, dhe përkrahja që na u dha ishte fantastike”- tha aktori Eddie Redmayne që rrëmbeu çmimin “Aktori më i mirë”.
Aktorja më e mirë u shpall Julianne Moore (“Still Alice”). Aktori më i mirë Joprotagonist shkoi për JK Simmons në filmin “Whiplash”, ndërsa aktorja më e mirë Joprotagoniste u shpall Patricia Arquette në filmin “Boyhood”.
Edicioni i 87 i “Academy Awards” do të mbahet në mend gjatë edhe nga shqiptarët. 24 vjeçarja, Rita Ora, pa dyshim që mbrëmë bëri çdo shqiptarë të ketë sytë dhe zemrën tek ajo. Rita Ora u prezantua në ceremoninë e ndarjes së çmimit më prestigjioz kinematografik me këngën “Grateful”, të filmit “Beyond the Light”.
Por, ndarja e Çmimeve “Oskar” sjell në mendjen e publikut edhe aktorët e mëdhenj që kurrë nuk e kanë provuar gëzimin e këtij çmimi edhe përkundër performancave fantastike në film. Leonardo Di Caprio, Johnny Depp , Brad Pitt, Bruce Willis, Harrison Ford, Julianne Moore, Michelle Pfeiffer, Tom Cruise, Richard Gere, nuk e kanë fituar kurrë “Oskarin” edhe pse në shumë raste i kanë shkuar shumë afër. (Ardita Imeri, TVM2)
