Liga e Europës, Sevilla me trofeun e shtatë, Roma humbi finalen e dytë
Sevilja është shpallur fituese e Ligës së Europës...

Sevilja është shpallur fituese e Ligës së Europës për herë të shtatë në historinë e saj, duke u konfirmuar e pathyeshme në finalet e këtij turneu.
Spanjollët këtë herë kanë triumfuar me penallti 5:2 përballë Romës, në një sfidë dramatike deri në sekondën e fundit.
Në kohën e rregullt ndeshja u mbyll me barazimin 1:1, ku Roma kishte avancuar në minutën e 35 me golin e Dybala, ndërsa Sevilja barazoi me autogolin e Mancinit (55’).
Kështu Sevilja vazhdoi dominimin e saj në Ligën e Evropës, ku në shtatë finale ka shtatë fitore. Roma para kësaj të finale në vitin 1991 kishte luajtur në finalen e Kupës së UEFA-së dhe ishte mundur nga Interi.
“Jam i lumtur që jam këtu, që kam fituar. Jam i lumtur edhe për klubin, i cili ishte në vështirësi kur arritëm këtu dhe të paktën kemi bërë diçka të madhe dhe të mirë që mund të ketë ndikim për të mirën e klubit. Është trofeu më i madh që kam fituar, një Europa League. Ata më kanë konfirmuar se mund të fitojnë dhe se mund të luajnë mire. Se janë futbollistë të mirë dhe në fund do ta marrin këtë. Le ta shijojmë këtë. Sepse ka kushtuar shumë.” - deklaroi trajneri i Sevilla-s, Jose Luis Mendilibar.
Ndryshe trajneri i Romës Jose Mourinho, kishte shansin që me tre klube të ndryshme të fitojë këtë trofe, por mbeti me triumfet me Porto dhe Manchester United.
Përpos rekordeve të shënuara në këtë ndeshje padyshim se fakti më unik është ai se kjo ndeshje, është luajtur në dy muaj të ndryshëm të vitit.
Ajo filloi me 31 maj, por për shkak të shtesave, shtesave mbi shtesa dhe pastaj penalltive, sfida kaloi mesnatën dhe përfundoi me 1 qershor me penaltinë e shënuar nga Montiel.
Me këtë fitore Sevilla, sezonin e ardhshëm do të luajë në Ligën e Kampionëve.
