Maqedoni

Shkup, Kadastra hapë dyert për qytetarët

23.02.2015 15:00

Kadastra hapi dyert për qytetarët. Një javë rresht qytetarët do të mund të informohen dhe konsultohen me të punësuarit e këtij institucioni për çështjet e patundshmërive...

Sportelet e Kadastrës në rajonin e Shkupit këtë javë do të punojnë prej orës 9 deri në orën 17, për t’i sqaruar qytetarëve për gjithçka që ka lidhje me shërbimet kadastrale. Qytetarët kanë shumë paqartësi, sidomos lidhur me legalizimin e objekteve, matjen e tokës dhe dokumentacioneve të ndryshme. Ata shpresojnë se gjatë kësaj jave do t’i zgjidhin problemet e tyre, sepse thonë që shpeshherë faji nuk është te qytetarët, por tek paqartësitë institucionale. 
 
“Unë kam probleme me dokumentet dhe me matjen e truallit. Erdha sot këtu për t’u takuar me komisionin, i cili i ka pranuar dokumentet e mia, dhe të shohim ç’mund të bëjmë. Ne jemi shumë pak të informuar për punën e  Kadastrës, andaj vlerësoj se ditët e hapura janë mundësi e mirë që ne të zgjidhim problemet që kemi në lidhje me patundshmëritë”- u shpreh një  qytetar. 
 
“Kemi shumë nevojë për ndihmën e punonjësve të Kadastrës, sepse ekzistojnë  gabime që bëhen nga ana e tyre, por edhe nga ana e qytetarëve. Unë personalisht  nuk kam pasur takim të caktuar paraprakisht, por erdha këtu direkt dhe  nuk prita shumë”- tha një qytetare.
 
Agjencia për Kadastër ka organizuar disa herë ditë të hapura. Nga përvoja e viteve të kaluara është konstatuar se një pjesë e lëndëve dhe kërkesave të qytetarëve janë zgjidhur falë ditëve të hapura në Kadastër, thonë përfaqësuesit e këtij institucioni. 
 
“Qëllimi kryesor i kësaj është që t’u ofrojmë zgjidhje qytetarëve të cilët kanë probleme me dokumentacionet e ndryshme të patundshmërive. Të gjithë e dimë mirë se puna në Kadastër është punë specifike dhe shpeshherë kërkon pak më shumë kohë se sa që nevojitet në institucionet e tjera”- deklaroi ndihmësdrejtori i Kadastrës në Shkup, Zdravko Lekoski.
 
Në Agjencinë e Kadastrës vitin e kaluar janë dorëzuar gjithsej 352 mijë e 283 kërkesa, vetëm 1.581 lëndë prej tyre nuk janë të zgjidhura, ndërsa prej fillimit të  këtij viti janë mbledhur rreth 1700 lëndë, prej të cilave 500 kërkesa kanë të bëjnë me legalizimin e objekteve për rastet sociale. 
 
REXHEP QAMILI