Nuk vlejnë më çmimet e ngrira, Bekteshi: Inspektoratet do të reagojnë po pati nevojë
Nuk do të vlejë më masa për ngrirjen e çmimeve....

Nuk do të vlejë më masa për ngrirjen e çmimeve të disa produkteve bazë ushqimore, për të cilat qeveria kohë më pare vendosi të ngrijë çmimet si pasojë e rritjes enorme të tyre.
Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, nuk mund të jep garanci se çmimet nuk do të shtrenjtohen, por tha se ka marrë premtim nga kompanitë se nuk do të bëjnë një gjë të tillë. Megjithatë tha se nëse vërehet rritje artificiale e çmimeve, atëherë inspektimet do të reagojnë menjëherë.
“Sa i përket çmimeve të produkteve është konstatuar se me masat e qeverisë thuajse të gjitha çmimet janë ulur. Po, masat nuk do të vazhdojnë më. Nëse një kompani e caktuar, një sektor i caktuar do të tentojë artificialisht të rrisë çmimet, institucionet do të hyjnë në funksion dhe kjo nuk do të lejohet. Kemi bërë biseda, ku kompanitë kanë thënë se do të ketë ulje për produkte të caktuara.”, - deklaroi ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.
Sipas tij, për momentin nuk parashihen masa lidhur me çmimet, vetëm se do të zbatohen dispozitat e ligjit për Inspektimin e Tregut, DAP-it dhe Policisë, si dhe Ligjit për Mbrojtjen e Konsumatorit.
Vendimi i parë për ngrirjen e çmimeve u mor më 28 shkurt, kur çmimi i bukës së bardhë dhe gjysmë të bardhë u ngri në 33 denarë, ndërsa më 16 mars, Qeveria mori vendim për ngrirjen e çmimeve të disa makaronave dhe produkteve të qumështit. Më 21 mars hyri në fuqi vendimi për ngrirjen e çmimeve të orizit dhe vezëve, ndërsa më 5 prill u ngrinë edhe çmimet e 11 llojeve të frutave dhe perimeve. Që tani e tutje, marketet mund t'i rregullojnë ato sipas dëshirës. (Ersan Pajaziti, TVM2)
