Antikorrupsioni, ligjet për “Bechtel dhe Enka” janë korrupsion politik
Në Komisionin shtetëror për parandalimin e korrupsionit....

Në Komisionin shtetëror për parandalimin e korrupsionit, akoma nuk ka arritur marrëveshja e plotë nga Qeveria për ndërtimin e korridoreve me "Bechtel dhe Enka". Nga Antikorrupsioni vlerësojnë se duhet ndjekur me shumë zgjuarsi punën që do të zhvillohet përgjatë ndërtimit të korridoreve, ndërsa mënyrën e sjelljes së ligjeve e quajtën korrupsion politik.
Shtojnë se KShPK nuk ka kompetenca t’i obligojë institucionet dhe personat zyrtarë t’i respektojnë iniciativat dhe masat e dala nga Komisioni.
“Ajo që mundet prej tani të vlerësohet është se sjellja e ligjeve të tilla është dukuri në kundërshtim me standardet evropiane. Ligjet e tilla mund të prodhojnë gjithçka, pa marrë parasysh se çfarë konstatojmë ne, rekomandim, iniciatvë për përgjegjësi dhe aq. Nuk kemi asnjë mjet me të cilin mund t’i detyrojmë institucionet që t’i respektojnë masat tona.”, - deklaroi anëtari i KShPK-së, Nuri Bajrami.
“Duhet të lihet të punohen deri në fund këto projekte dhe t’i ndjekim jo me katër, por me 100 sy se deri ku janë procedurat dhe nëse ka korrupsion të veprohet mbi personat e korruptuar. Ne si KShPK mund të arrijmë deri diku, por duhet të veprojnë organe tjera. Nëse konstatohet korrupsion, duhet të veprohet, kushdo qoftë ai, edhe nëse bëhet fjalë për 1 denarë.”, - theksoi anëtari i KShPK-së, Shemsi Sallai.
Qeveria duhet me seriozitet t’i kuptojë sinjalet që na i adresuan ShBA-të dhe Ambasadori i Holandës, sa i përket korrupsionit. Në RMV po aktrohet se ka luftë kundër korrupsionit, realisht askush nuk dëshiron ta luftojë, gjegjësisht askush nuk dëshiron që të vetburgoset. (Florije Beluli – Kamberi, TVM2)
