Tensionet në veri të Kosovës, Osmani e Kurti fajësojnë Serbinë dhe Vuçiqin

01.06.2023 15:45

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në margjinat e samitit të dytë të Komunitetit Politik Evropian, që po zhvillohet në kryeqytetin e Moldavisë, Kishinau, ka deklaruar se Serbia vazhdimisht ka shërbyer si satelit i Rusisë në rajonin e Ballkanit dhe ka tendenca për të destabilizuar Kosovën dhe vendet e tjera të rajonit. Ajo ka fajësuar direkt presidentin serb Vuçiq për nxitjen e dhunës në Veri të Kosovës. 

“Situata në Veriun e Kosovës derisa po flasim është e tensionuar edhe pse ka qenë më e qetë në dy ditët e fundit dhe kjo është shkaktuar, për shkak se presidenti serb, Vuçiq, po i nxit dhe mbështet financiarisht strukturat e paligjshme që janë kthyer në banda kriminale, të cilat sipas thesarit amerikan dhe atij britanik janë grupe të krimit transnacional, që po shkaktojnë dhunë edhe ndaj ushtarëve të KFOR-it.”, - deklaroi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Osmani njëherit theksoi se ajo që është dakorduar në Bruksel dhe Ohër të zbatohet plotësisht, por siç tha ajo presidenti serb Vuçiq është tërhequr nga zotimet, siç ishte me rastin e votimit kundër Kosovës në Këshillin e Evropës, e madje i kanë sulmuar edhe vendet tjera që kanë qenë pro si Ukraina apo Greqia.

Ndërsa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se raportet ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuar të Amerikës janë të shkëlqyeshme e bilaterale, por ka edhe moment kur ka dallime në qasje.       

“Natyrisht ka raste kur na dallojnë nga pak qasjet, mirëpo këto nuk janë gjërat të cilat janë thelbësore dhe kurrsesi vendimtare. Sot ne ndodhemi në një situatë të vështirë, për shkak të grupeve të armatosura të cilat shtiren si protestues e në fakt janë banda kriminale në Veriun e Kosovës prej të cilëve duhet të çlirohet edhe republika jonë demokratike, por njëkohësisht edhe komuniteti serb, për këtë po ashtu e kemi edhe mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikë.”, - theksoi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.     

Vuçiq fajëson Qeverinë e Kosovës

Por, presidenti serb, i cili po ashtu ndodhet në  Moldavi e fajësoi Kosovën për tensionet në Veri.

“Problem është ajo që ndodhi para tre ditësh në Kosovë, kishim mundësi ta shohim dhe parashohim, por jo edhe ta pengojmë. Ky është problem. E shihni se shkon në drejtim të keq, por askush nuk mund ta pengojë pasi ekziston papërgjegjësi dhe kokëfortësi nga njëra anë.”, - u shpreh presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq.

Borell, Sholc e Makron angazhohen për ç’tensionim

Shefi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka theksuar angazhimin që të shmanget përshkallëzimi i situatës ndërsa dhuna duhet ndëshkuar.

“Duhet të insistojmë se dhuna nuk është rruga e duhur, dhuna duhet të ndëshkohet dhe kryerësit e kësaj dhune duhet të vihen para drejtësisë. Duhet të shmanget çfarëdo përshkallëzimi dhe lëvizje e pakoordinuar.”, - deklaroi shefi i Politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell.

Në kuadër të samitit në Moldavi, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, u takua me presidentin Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Me këtë rast kryeministri Rama ka thënë se “Konflikti në Veriun e Kosovës duhet të zgjidhet krah për krah me botën demokratike, duke u dhënë fund absurdit kërcënues e duke finalizuar marrëveshjen e normalizimit dhe njohjes së ndërsjellë mes Kosovës e Serbisë.”. Derisa në kryeqendrën moldave po kërkohet një zgjidhje për Veriun e Kosovës për çka janë angazhuar edhe kancelari gjerman Sholc dhe presidenti francez, Makron, në takimet me Osmanin dhe Vuçiqin, në komunat veriore kanë vazhduar protestat e serbëve.

Po ashtu, protesta pati edhe në pjesën jugore të Mitrovicës nga ana e shqiptarëve. Por, Policia e Kosovës dhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, u kanë  bërë thirrje qytetarëve që të mos mblidhen në Mitrovicë. Por në mesditë në sheshin “Isë Boletini”, janë mbledhur qytetarë të cilët me flamuj kombëtarë shqiptarë e atë të Kosovës, këndojnë këngë për Mitrovicën. Ndërsa, dy shqiptarë janë sulmuar fizikisht tek Ura e Ibrit. Sulmi ka ndodhur pak metra në pjesën veriore, ku ishin mbledhur disa serbë për të protestuar. (Gyltene Sinani, TVM2)