Maqedoni
Mbledhja e bashkësisë politike evropiane, Mishel: Jemi pro përshpejtimit të zgjerimit
01.06.2023 16:29
Bashkimi Evropian e ka prioritet zgjerimin e saj me vendet aspirante...

Bashkimi Evropian e ka prioritet zgjerimin e saj me vendet aspirante, ndërsa detajet për angazhimet e mëtutjeshme do të paraqiten në raportet për zgjerimin e unionit në gjysmën e dytë të vitit, thotë kryetari i Këshillit Evropian, Charls Mishel.
“Kemi qenë shumë të qartë. Nga ana e BE-së kemi mirëkuptim se duhet të ndërmerren hapa të rëndësishëm për procesin e zgjerimit. Pas verës, Komisioni Evropian do të publikojë raport për zgjerim dhe qëllimi im si udhëheqës është që deri në fund të vitit ta vë në agjendë.”, - deklaroi kryetari i Këshillit Evropian, Charls Mishel.
Mishel komentin e ka dhënë në mbledhjen e Bashkësisë Politike Evropiane të organizuar në Moldavi me pjesëmarrje të 47 përfaqësuesve nga vendet evropiane.
Kovaçevski: Nuk zhvendosemi nga strategjia për anëtarësim
Kryeministri Kovaçevski siguron gatishmërinë për të vazhduar me obligimet e mbetura, në mënyrë që të plotësohet qëllimi strategjik. Thekson se formati i Komunitetit Politik Evropian nuk është zëvendësim i BE-së, por mbledhjet që zhvillohen në të janë të dobishme për rajonin.
“Anëtarësimi i RMV-së në BE deri në vitin 2030 është qëllimi ynë. E kemi filluar skriningun, i cili do të vazhdojë edhe disa muaj. Kemi vendime të caktuara politike të cilat duhet t’i realizojmë në vendin tonë dhe pastaj të vazhdojmë me hapjen e klasterëve dhe realizimin e reformave dhe të arrijmë tek qëllimi.”, - u shpreh kryeministri, Dimitar Kovaçevski.
Situata në Kosovë, Kovaçevski: Paqja në Kosovë nënkupton paqe rajonale
Kovaçevski ka folur edhe për situatën në Veri të Kosovës. Fton palët për ulje tensionesh, ndërkaq potencon se jostabiliteti në Kosovë ka impakt rajonal.
“Paqja në Kosovë është gjithashtu paqe për Ballkanin Perëndimor. Mendoj se koha e konfliktit është shumë larg pas nesh dhe implementimi i marrëveshjes së dakorduar mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe implementimi i aneksit të planit duhet të jetë imperativ i politikave të të dyja vendeve.”, - deklaroi kryeministri, Dimitar Kovaçevski.
Mes tjerash, takimi i Bashkësisë Politike Evropiane ka përfshi temat mbi gjendjen në Ukrainë dhe përkrahjen ndaj saj, infrastrukturën, luftën kundër sulmeve hibride, energjetikën dhe ndryshimet klimatike.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
