Maqedoni

Maqedonia dhe Mali i Zi, hapësira të përbashkëta diplomatike në Paris

23.02.2015 15:16

Maqedonia dhe Mali i Zi do të shfrytëzojnë hapësira të përbashkëta diplomatike...

Dy vendet nënshkruan një protokoll për kolokacion të përfaqësive diplomatike konsullore, që do të thotë se Maqedonia dhe Mali i Zi do të kenë hapësira të përbashkëta për përfaqësitë diplomatike në Paris.
 
Kjo do të paraqesë shembull të mirë për rajonin dhe do të tregojë se bëhet fjalë për vende me orientim evropian, vlerësuan ministrat e punëve të Jashtme, Nikolla Poposki dhe Igor Lukshiq, pas takimit në Shkup.
 
“Bëjmë orvatje që të kemi sa më shumë zgjidhje të këtilla të cilat janë zgjidhje ekonomike dhe dërgojmë sinjal politik se ekziston bashkëpunim, siç pritet nga vendet me orientim evropian. Parisi është i pari dhe me siguri zgjidhje pionire për rajonin tonë. Jemi të hapur për një bashkëpunim të tillë edhe në rajonet e tjera dhe me vende të tjera”- deklaroi ministri i Jashtëm, Nikolla Popovski.
 
Kolegu i tij malazez, Igor Lukshiq, theksoi se dy vendet kanë për qëllim thellimin e bashkëpunimit të mëtejshëm në më shumë fusha. 
 
“Nënshkrimi i protokollit për kolokacion të përfaqësisë diplomatike konsullore në Paris është me rëndësi për të dy ministritë, por është më me rëndësi kur shihet nga prizma e rajonit, si praktikë që nuk është shumë e shpeshtë. Vlerësoj se kjo marrëveshje do të ketë jehonë më të madhe dhe do të tregojë gatishmërinë e vendeve tona që të tregojnë kapacitet evropian”- tha zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Malit të Zi, Igor Lukshiq.
 
Dy bashkëbiseduesit kanë konstatuar marrëdhëniet e mira midis dy vendeve, duke shtuar se ata mund të intensifikohen sidomos në planin ekonomik dhe mundësinë për zbatimin e projekteve të përbashkëta rajonale infrastrukturore.
 
Zëvendëskryeministri malazez, gjatë qëndrimit të tij në Shkup është pritur edhe nga presidenti i vendit, Gjorge Ivanov.
 
NAIM RAMADANI