Maqedoni
Ndryshimet kushtetuese, Mickoski: Sipas nevojave bullgare nuk i mbështesim
01.06.2023 17:13
Lideri i opozitës maqedonase, Hristian Mickoski vazhdon me qëndrimin e njëjtë lidhur me ndryshimet kushtetuese...

Lideri i opozitës maqedonase, Hristian Mickoski vazhdon me qëndrimin e njëjtë lidhur me ndryshimet kushtetuese - të paketuara sipas nevojave bullgare nuk do të kalojnë.
Sa i përket takimit të liderëve, Mickoski thotë se tema për të cilën do të bisedonte në tryezën e bisedimeve me Kovaçevskin është se çfarë të bëhet pas mos kalimit të amendamenteve kushtetuese, gjegjësisht zgjedhje parlamentare sa më shpejt të jetë e mundur.
“Ne si koalicion si VMRO-DPMNE, nuk do t’i mbështesim dhe çfarë do të ndodhë më pas. Mendoj se edhe për këtë duhet të diskutohet, por të presim, të shohim se cili do të jetë formati, vendi dhe koha, sepse nuk kemi asgjë përveç deklaratave të Dimitar Kovaçevskit në opinion. Opsionin tim do ta tregoj nëse do të mbahet ai takim i liderëve.”, - deklaroi kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickoski.
Mickoski theksoi se VMRO-DPMNE do të bëjë gjithçka, në kuadër të ligjeve, Kushtetutës dhe proceseve demokratike, për ta mposhtur koalicionin BDI-LSDM në zgjedhjet e ardhshme presidenciale dhe parlamentare, kurdo që të ndodhin.
Koleva: Mickoski është apo jo pro BE-së
Nga LSDM thonë se javën tjetër do të bëhet e qartë nëse Mickoski është pro BE-së apo është pjesë e bllokut antievropian të së Majtës.
“Mickoski është para vendimit se nëse do të mbështesë të ardhmen e Maqedonisë në BE apo do të ndjekë rrugën e paraardhësit të tij, Nikolla Gruevski, i cili e vonoi dhe bllokoi rrugën e Maqedonisë drejt BE-së për 11 vjet. Derisa u rrëzua përfundimisht dhe u iku nga vendi. Javën e ardhshme do të bëhet e qartë nëse Mickoski është pjesë e bllokut të BE-së apo pjesë e bllokut antievropian të së Majtës.”, - theksoi deputetja e LSDM-së, Danela Koleva.
Ndërkohë, zëvendëskryeministri Artan Grubi, i pyetur se në ndryshimet kushtetuese a do të përfshihet edhe heqja e formulimit 20% për shqiptarët, ai shkurt ka thënë se do të ndodh kur t’i vjen koha.
SANIJE DURAKU
