Botë

Begaj pret presidenten e Hungarisë, të ulen tensionet në Veri të Kosovës

01.06.2023 18:19

Me ceremoni shtetërore u prit presidentja e Hungarisë, Katalin Novak, në nisje të vizitës së saj zyrtare në Tiranë...

Ulja e tensioneve në veri të Kosovës ishte kryefjalë e mesazhit të tyre, , duke kërkuar që Kosova e Serbia të gjejnë rrugën e zgjidhjes.
 
“Në këtë moment nevojitet një çtensionim i situatës, të tregohet maturi dhe durim dhe t’i shërbehet zgjidhjes së problemit dhe të jetë busulla e orientimit të dy vendeve për të arritur atë marrëveshje.”, - deklaroi presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj.
 
“Ndërmjet dialogut mbështesim paqen dhe integrimin e vendeve të rajonit. Në Kosovë shpresojmë të mos ketë më një situatë të tillë, të qetësohet sa më shpejt dhe palët të gjejnë rrugën drejt një paqeje afatgjate.", - theksoi presidenti i Hungarisë, Katalin Novak.
 
Dhunën e protestuesve serbë në veri të Kosovës, kreu i shtetit e quajti të papranueshme.
 
“Keqpërdorimi i popullatës serbe në veri të Kosovës  dhe dhuna e ushtruar ndaj KFOR dhe medias është e pajustifikueshme.”, - u shpreh presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj.
 
Pas takimit dhe konferencës me presidentin Begaj, Novak mbajti një fjalë përshëndetëse edhe në Parlamentin e Shqipërisë.
 
"Në vend të luftërave, kemi nevojë për armëpushim, rrugë drejt paqes, sepse çdo luftë ka vetëm humbës. Të gjithë shohim Ukrainën, por ne harrojmë sa e rëndësishme është të shohim Ballkanin Perëndimor, Kosovën, sa pak duhet të nxisim konflikt e të shkojë në luftë, ndaj është shumë e rëndësishme të ruajmë stabilitetin. Jam e  bindur që e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është Bashkimi Evropian, kemi nevojë sa më shpejt për këtë integrim, prandaj ne mbështesim futjen e Shqipërisë në BE.”, - deklaroi presidenti i Hungarisë,  Katalin Novak. 
 
Në mungesë të kryeparlamentares Lindita Nikolla, seanca e posaçme në parlament u drejtua nga zëvendëskryetarja e Parlamentit, Ermonela Felaj.
 
LULJETA NDOKA